Qasja e Qeverisë Kurti për liberalizimin e vizave po kritikohet nga opozita dhe njohësit e integrimeve evropiane. Pretendimi i ekzekutivit në programin qeverisës për rikthimin teknik të këtij procesi po shihet si jo realist dhe tendencë për t’i dhënë kahe tjetër liberalizimit të vizave.
Ndërkohë, raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von-Cramon i jep mbështetje kryeministrit Kurti për gatishmërinë në realizimin e proceseve teknike, por thotë se i njëjti duhet të hyjë në dialog politik me vendet skeptike.
Derisa në partinë në pushtet thonë se përmes kësaj forme do të japin mesazhin e duhur se meritojnë liberalizimin e vizave, ani pse nuk japin datë për një gjë të tillë.
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi thotë për KosovaPress se rikthimi nga procesi politik i liberalizimit të vizave, në atë teknik është gabim.
“Në program thotë që do ta kthejmë nga proces të politizuar në një proces teknik. Kjo qeveri duhet ta ketë një strategji të veçantë që t’i bindë shtetet të cilat fatkeqësisht na kanë njohur dhe nuk janë që ne të marrim liberalizimin e vizave. Kjo është një vështirësi që kjo qeveri do ta ketë sepse duhet që këto shtete t’i bind. Kur binden këto shtete ne mund ta marrim liberalizimin e vizave sepse ne kemi plotësuar gjitha kriteret teknike. Ky është një gabim ose një jo informim i zotëri Kurti”, thotë ajo.
Këtë pretendim të qeverisë, Emir Abrashi nga Demokracia Plus po e sheh si jo realist dhe synim për t’i dhënë kahe tjetër procesit të liberalizimit të vizave.
Ani pse thotë se sundimi i ligjit dhe janë të rëndësishme për Kosovën, Abrashi thekson se liberalizimi i vizave është proces politik.
Abrashi: Është jo realiste që qeveria jonë të synojë t’i japë kahe tjetër këtij procesi
“Tek kërkesa e liberalizimit të vizave Qeveria pretendonte që nga një proces politik të kthente në një proces teknik. Mirëpo duhet pasur parasysh që ky proces është kthyer në një proces politik nga ana e BE-së. Prandaj është jo realiste që qeveria jonë të synojë t’i jap kahe tjetër këtij procesi. Ne është thënë edhe stërthënë që i kemi përmbushur gjitha kriteret për liberalizim të vizave. Atë dyfish më shumë kritere se gjitha vendet e rajonit. Ngërçi për liberalizim të vizave mbetet tek qasja politike e shteteve. Prandaj qeveria duhet të fokusohet edhe në diplomaci në këtë aspekt dhe të punojë me të gjitha shtete e BE-së. Ne kemi marrë dritën e gjelbër nga ana e Komisionit Evropian dhe Parlamentin Evropian. Tash dihet që procesi nga mbetur te ministrat e brendshëm të shteteve anëtare të BE-së. Prandaj ne duhet të jemi shumë pro aktiv në procesin e lobimit me këto shtete dhe sidomos me shtetet si Franca dhe Holanda që nuk po e përkrahin këtë proces”, deklaron ai.
Por, raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von-Cramon thotë për KosovaPress se Qeveria Kurti duhet të jetë e gatshme të angazhohet me autoritetet përkatëse në lidhje me çështjet teknike, në rast se ata dëshirojnë të kenë vlerësimin e tyre.
Ajo thotë se problemi i vizave është edhe politik, pasi Franca nuk është e gatshme të lëvizë në këtë drejtim me gjithë gatishmërinë teknike.
Për këtë arsye, Von-Cramon i bënë thirrje kryeministrit Kurti të hyjë në dialog politik dhe t’i bind qeveritë përkatëse, jo vetëm për detajet teknike, por edhe adresimin e shqetësimeve për pasojat e tjera.
Von-Cramon: Kryeministri Kurti ka të drejtë që i duhet të tregojë gatishmërinë e Kosovës në këto procese teknike
“Liberalizimi i vizave supozohej të ishte një çështje teknike dhe Kosova i ka përmbushur të gjitha standardet teknike gati tre vjet më parë. Kryeministri Kurti ka të drejtë që i duhet të tregojë gatishmërinë e Kosovës në këto procese teknike. Qeveria duhet të jetë e gatshme të angazhohet me autoritetet përkatëse në lidhje me çështjet teknike në rast se ata dëshirojnë të kenë vlerësimin e tyre. Sidoqoftë, problemi është gjithashtu politik, pasi disa shtete anëtare të BE (më së shumti Franca) nuk është e gatshme të lëvizë në këtë drejtim, me gjithë gatishmërinë teknike. Kjo është arsyeja pse Kryeministri Kurti do të duhet të përpiqet të hyjë në një dialog politik dhe të bindë qeveritë përkatëse jo vetëm për detajet teknike por gjithashtu të adresojë disa nga shqetësimet e tyre për pasojat e tjera”, thotë ajo në një përgjigje me shkrim për KosovaPress.
Ndërsa, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli-Dalipi thotë për KosovaPress se duke luftuar krimin dhe korrupsionin do t’i bindin vendet shtetet veç e veç për liberalizim të vizave.
Megjithëkëtë, deputetja e mazhorancës nuk jep data se kur mund të liberalizohen vizat nën qeverisjen Kurti II.
Pacolli-Dalipi: I kemi plotësuar kriteret, por shtetet veç e veç duhet t’i bindim
“Ne i kemi plotësuar kriteret, mirëpo BE-në duhet ta bindim, shtetet veç e veç. Duhet ta bindim Francën, Holandën dhe shtetet tjera që ndoshta kanë dilema rreth çështjes sonë sa i përket përmbushjes së kritereve…ne nuk mund të deklarohemi as të japim data dhe të japim data se kur mundet me pas lëvizje. Puna jonë është që të punojmë pa ndal edhe me shtetet anëtare të gjitha, e sidomos me ato që kanë akoma dyshim. Kjo është detyra jonë, pasi ne nuk mund të japim data sepse nuk varet prej neve, as institucioneve të BE-së, por prej vendimeve të shteteve veç e veç[… ]ne jemi ndryshe nga qeveritë e kaluara, ne kemi qëllim me luftua korrupsionit dhe krimin e organizuar dhe asnjë vendim i qeverisë aktuale nuk do të jetë në kundërshtim me parimet e BE-së”, thotë ajo.
Së fundmi mbështetje për liberalizim të vizave Kosovës i dha sërish Parlamenti Evropian, derisa nuk dihet nëse kjo pikë do të hyjë në agjendë nën presidencës e ardhshme sllovene gjatë vitit 2021.