Kryeministri Albin Kurti bëri mirë që doli me gjashtë kushte për themelimin e Asociacionit dhe që u lirua nga retorika bllokuese e procesit të dialogut, duke ngulur këmbë që të mos e krijojë këtë mekanizëm të nënshkruar nga Kosova.
Analisti politik, Shkëlzen Maliqi, në një intervistë për Gazetën Express, thotë se hartimi i këtyre kushteve është një politikë tipike e Albin Kurtit se si negocion me ndërmjetësit e huaj meqë profilin e tij e krijoi me parulla për vetëvendosje e jo dialog.
Sidoqoftë, kushtet e Kurtit janë në përputhje me kërkesat ndërkombëtare – edhe pse për disa pika Maliqi paralajmëron se mund të çojnë në dështim të marrëveshjes Kosovë-Serbi – topi tashmë u dërgua në Beograd.
Për pikën më të nxehtë – atë të themelimit të Asociacionit pas njohjes reciproke – Maliqi thotë se Kurti edhe mund të mashtrojë me të sepse s’parashihet në planin franko-gjerman, por me këtë u “provokua” Vuçiqi.
“Mirë është se Kurti potencon këtë kusht, edhe pse „provokon“ Vuciqin, i cili kushtet e tij i quajti „përralla“, por le të jetë ai që refuzon Asociacionin, që afirmon demokracinë kosovare dhe jo që Kurtit dhe Kosovës t’i mbetet kilja”.
Maliqi sugjeron fuqishëm që Kosova të jetë në linjë me SHBA-në në këto negociata që ndërmjetësit po i trajtojnë me urgjencë, duke marrë shembull edhe marrëveshjet e të kaluarës.
“Në negociatat e Rambujes dhe në Vjenë, delegacionet kosovare janë koordinuar ngushtë me SHBA-të dhe fuqitë europiane, edhe pse ofertat kanë qenë jo të favorshme, por kemi përfituar sepse Serbia i ka refuzuar ato”, tha Maliqi për Express.
Analisti politik thotë se opinioni kosovar duhet ta shohë më drejt rolin e SHBA-së dhe BE-së në botë dhe të shfrytëzojë momentumin e krijuar me vënien në tavolinë të planit franko-gjerman.
“Çështja është se as SHBA-të e as BE-ja në rrethanat e sotme nuk mund të garantojnë anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara, që është parakusht për kërkesën e reciprocitetit dhe njohjes së ndërsjellë. Pasi që Serbia aktualisht është anëtare e OKB, asaj nuk i duhet fare njohja e Kosovës, ky lloj kushtëzimi duket i padrejtë për Kosovën, që nuk është as anëtare e Këshillit të Evropës, as e NATO-s dhe do të mund mos të ketë gjasa për anëtarësim as në OKB, edhe nëse e njeh Serbia, përderisa Rusia dhe Kina mund ta pengojnë anëtarësimin e Kosovës për interesat e veta dhe jo të Serbisë”.
Prandaj, Maliqi thotë se Kosova duhet të ketë qasje më të mençur me superfuqitë tjera botërore dhe jo të shfaqë arrogancë ndaj tyre.