Ekrem Kryeziu, studiues i marrëdhënieve ndërkombëtare në Turqi, ka folur rreth situatës pas tërmetit që e goditi Turqinë sot në orët e hershme të mëngjesit.
“Sot, Turqia u zgjua me një lajm të kobshëm – me një tërmet i cili ndodhi rreth orës 04:00 në mëngjes. Ne ndodhemi në Stamboll dhe tërmeti ka ndodhur në Turqinë juglindore, larg nga këtu megjithatë mobilizimi i shtetit ndjehet edhe këtu”, ka thënë ai në një lidhje direkte në Klan Kosova.
Zajmi gjithashtu ka theksuar se ka një numër shumë të madh të personave që ende ndodhen nën rrënoja dhe sipas tij, numri i të vdekurve do të rritet edhe më shumë.
Megjithatë, Zajmi tha që nuk ka informata që ndonjë shqiptari mund të ketë pësuar nga kjo fatkeqësi.
“Në bazë të informatave që i kam, nuk ka konfirmim të ndonjë shqiptari që mund të ketë vdekur nga ky tërmet”, tha ai.
Ambasada e Kosovës në Ankara ka reaguar pas tërmetit prej 7.8 shkallësh që ka goditur Turqinë, gjatë së hënës.
Përmes një njoftimi në faqen zyrtare në Facebook, kanë shprehur ngushëllime popullit turk.
“Ndjejmë dhimbje të thellë për viktimat si pasojë e tërmetit që goditi disa provinca të Turqisë në mëngjesin e sotëm. Shprehim ngushëllimet tona të sinqerta për popullin e Turqisë dhe urojmë shërim të shpejtë për të gjithë të prekurit nga ky tërmet”, thuhet në njoftim.
Për raste emergjente nga zonat e prekura nga tërmeti, luten qytetarët tanë të kontaktojnë në numrat emergjentë:
Ambasada e Republikës së Kosovës në Ankara: +90 542 711 80 99
Konsullata e Republikës së Kosovës në Stamboll: +90 531 105 63 91
Sipas raportimeve të para, numri i viktimave besohet se është 360, teksa zyrtarët shëndetësorë në kryeqytetin sirian, Damask, kanë raportuar se 237 persona kanë vdekur në zonat që kontrollohen nga Qeveria siriane.