Presidenti i Malit të Zi pas takimit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu në konferencë para gazetarëve kanë fokur për bashkëpunimin në konsolidimin e stabilitetit në rajon dhe përkrahjen për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
“Ne e kuptojmë nismën e tyre për të marrë statusin e kandidatit për në BE. Ne e mbështesim fuqimisht dhe mendojmë se është e vetmja qasje e përgjegjshme ndaj ambicieve të Kosovës dhe çdo vendi tjetër në rajon”, tha Gjukanoviq.
Siç vlerësoi ai, regjimi pa viza për qytetarët e Kosovës është hapi i parë i rëndësishëm.
Gjukanoviq tha se ai së bashku me Osmanin kanë biseduar edhe për çështje bilaterale dhe se janë të kënaqur, sepse marrëdhëniet janë kuptimplotë, cilësore dhe miqësore, por se ka hapësirë të qartë për përmirësime të mëtutjeshme.
“Ne ende duhet të punojmë për dukshmëri më të qartë dhe identifikim kushtetues të pakicës malazeze në Kosovë. Ne e dimë që ky është një synim i kufizuar me Kushtetutën e Kosovës momentalisht, e kuptojmë këtë”, ka thënë Gjukanoviq.
Ai tha se janë biseduar edhe për mundësitë për përmirësimin e bashkëpunimit ekonomik.
Gjukanoviq ka theksuar se është i bindur se vizita e Osmanit do të forcojë besimin mes dy vendeve.
“Besoj se pas konsolidimit të pushtetit ekzekutiv në Mal të Zi dhe pres zgjedhjet parlamentare së shpejti dhe pas përfundimit të suksesshëm të procesit të negociatave për marrëveshjen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, do të krijohen kushte më të mira për angazhim të plotë në marrëdhëniet bilaterale dhe për prosperitetin e mëtejshëm të marrëdhënieve tona”, tha presidenti malazez.
Siç ka thënë ai, Mali i Zi po ndjek me kujdes gjithçka që ndodh në negociatat mes Kosovës dhe Serbisë.
“Besojmë se ky dialog ka nisur me sukses dhe se mund të fitojë dinamikë dhe cilësi të re. Jemi të bindur se është e mundur të arrihet një marrëveshje e qëndrueshme afatgjatë, duam ta mbështesim Kosovën si fqinj të përgjegjshëm”, tha ai.
Gjukanoviq tha se ky është një nga interesat më të rëndësishme në rajon.
“Zgjidhja e kësaj çështjeje do të përmirësonte ndjeshëm stabilitetin e rajonit”, shtoi ai.
Gjukanoviq tha se është e qartë se nuk ka motive të fshehta në mbështetjen e Malit të Zi për aspiratat evropiane të Kosovës.
“Ky rajon do të jetë më i qëndrueshëm kur Kosova të integrohet në strukturat evropiane”, tha Gjukanoviq.
“Kur aplikuam për Këshillin e Evropës, për statusin e kandidatit në BE, për NATO-n, mbështetja e Sllovenisë, Kroacisë dhe Shqipërisë ishte jashtëzakonisht e rëndësishme”, tha Gjukanoviq.
Siç tha ai, Mali i Zi arriti një besueshmëri shumë më të madhe morale dhe politike në bashkësinë ndërkombëtare në krahasim me madhësinë e tij.
“Gjatë dy vjet e gjysmë të eksperimentit, nuk mendoj se e kemi shpenzuar atë kredibilitet ndërkombëtar”, tha Gjukanoviq.