Partia Socialdemokrate (PSD) organizoi një peticion për qytetarë me moton “Të Falen Gjobat e Pandemisë”. Për dy ditë PSD ka mbledhur rreth 2 mijë nënshkrime.
Ndërsa kjo parti e cila ndodhet jashtë kuvendit pas mbledhjes së 10 mijë nënshkrimeve të qytetarëve do të dorëzoj në kuvend një projektligj për faljen e 200 mijë gjobave të qytetarëve dhe ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.
Nol Nushi nga PSD tha për KosovaPress se falja e gjobave të qytetareve dhe ndërmarrjeve nxjerr përfitues qytetarët. Nushi thotë se edhe pozita duhet të votojë këtë projektligj pasi që votoi 11 milionë euro për rrymën e serbëve në Veri të vendit.
“Grupi prej 10 mijë qytetarëve mundet me prezantu iniciativë ligjore apo projektligj cilën e dorëzon në Kuvend dhe ai futet në procedura të rregullta të Kuvendit që trajtohet në seanca të radhës. Fokusi kryesor janë njerëzit pra personat fizik mirëpo ne i kemi fut aty edhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme që kategorizohen me ligjet e Kosovës mirëpo gjobat nga 200 mijë e më shumë gjoba që janë shpërnda 90% prej tyre janë ndaj personave fizikë, në rast se ky ligj miratohet në Kuvend që unë besoj edhe shpresoj që do të miratohet përfitues do të jenë qytetarët kryesisht”, tha ai.Reklamë
Për 2 ditë PSD arriti të mbledh rreth 2000 nënshkrime, ai thotë se kur të arrijë në kuvend pret votimin e të gjithë deputetëve, e sidomos të atyre të pozitës pasi ai thotë se të njëjtit votuan 11 milionë euro për rrymën e serbëve në veri të Mitrovicës.
“Për zyrtarizim nevojiten 10 mijë nënshkrime, ne i kemi pas dy ditë pune deri tash, kemi mbledh përafërsisht 2000 nënshkrime plus minus se nuk e di saktë sepse janë dorëzuar edhe lista të tjera. Duhet të dërgojmë fillimisht në Kuvend e të shohim disponimin e partive. Nuk kam pa ndonjë deputetë apo ndonjë zyrtarë partiakë që ka thënë që kjo është iniciativë e gabuar. Edhe unë mendoj që kur të del puna te ligji nuk kanë si mos ta votojnë, janë të njëjtit deputetë sidomos këta të pozitës që kanë votuar 11 milionë euro për rrymën e serbëve në Veri të Kosovës. Kur nuk ke vaksina, kur nuk ke ndihmë ekonomike për qytetarët të paktën mos i ngarko me gjoba shtesë”, tha ai.
Krah nismës së PSD qëndrojnë edhe qytetarët. Ata thonë se duhet të falen gjobat, pasi edhe partitë politike më parë organizonin tubime.
Hamit Hoti tha se nuk duhet të ketë privilegje për askënd, pasi partitë politike nuk kanë paguar dënimet.
“Dënimet e qytetareve duhet me i fshi edhe nuk duhet me u pagua se këtu nuk ka privilegj ndaj askujt. Virusi është për të gjithë mandej kur u organizonin tubimet këtu qoftë se ata paguajnë dënime do të paguajnë edhe këta të cilët janë dënuar”, tha ai.
Ansar Halili shprehet se qytetarët duhet të respektojnë masat, si dhe gjobat e shqiptuara të falen.
“Edhe na si popullatë duhet me u vetëdijesua pak ma shumë, mos me e pru punën deri qaty për shkak që është pandemi, edhe në hoteleri ka ndikuar shumë kjo, mendoj që duhet me ju fal”, tha Halili.
Policia e Kosovës po vazhdon të gjobisë qytetarët të cilët nuk po respektojnë masat anti-COVID-19, vetëm brenda 24 orëve, Policia e Kosovës ka gjobitur 705 qytetarë të cilët nuk i respektuan masat e vendosura nga institucionet shëndetësore e shtetërore.