“Në Kahramanmaras kanë vdekur 70 shqiptarë si pasojë e tërmetit”

“Në Kahramanmaras kanë vdekur 70 shqiptarë si pasojë e tërmetit”

70 shqiptarë kanë vdekur si pasojë e tërmetit katastrofik në Kahramanmaras të Turqisë, ndërkaq tre të tjerë në Hatay, ka bërë të ditur kryetari i shoqatës së Kulturës dhe Solidaritetit të Shqiptarëve, Evren Kaya.

Kaya ka kritikuar Ambasadën e Kosovës në Turqi, duke thënë se nuk po u ndihmon familjeve të prekura nga tërmeti.

Evren Kaya ka treguar se janë duke marrë ndihma prej disa vendeve për të ndihmuar shqiptarët në Turqi.

“Tani në Kahramanmaras 70 persona kanë vdekur. Edhe në Hatay, tre shqiptarë na kanë vdekur. Aty i kam pa në Facebook edhe çfarë kam dëgjuar po ju tregoj… Tani për ushqim nuk është problem, por për t’u ngrohur se ftohtë është shumë. Stufat po i dërgon shteti nga mundet, disa që nuk po munden me u lajmërua po edhe ne sa po mundemi po u ndihmojmë”, ka thënë ai për KosovaPress.

Ai tutje ka treguar se shumë nga shqiptarët që jetojnë në këto vende të prekura nga tërmeti po kanë frikë të kthehen në shtëpitë e tyre.

“Ambasada neve nuk na ka kërkuar hiç. Telefon nuk na ka bërë hiç prej Kosovës. Se di për karrige është ardhur apo për çfarë ka ardhur në Turqi, nuk po e di. Ky ambasadori hiç nuk më ka kërkuar, vetëm Avni Spahiu, Bekim Sejdiu, kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri dhe krejt ata që janë kryetarë”, është shprehur ai.

Më tej, Kaya ka thënë se deri më tani vetëm një familje shqiptare është nxjerrë e gjallë nga gërmadhat.

“Vetëm një person me familje ka shpëtuar prej ndërtesës ka dalë gjallë, me katër persona ka dalë… Edhe ai është në fshat tonin për momentin, si po e pyes diçka po nis të qajë se i ka vdekur fqinji”, përfundon ai.

Nga tërmeti prej 7,8 ballësh në Turqi deri më tani kanë humbur jetën mbi 30 mijë persona.

Related Articles