Mbrëmjen e sotme është shfaqur premiera e dokumentarit “Trajneri i Gjenerave” kushtuar legjendës së futbollit të Kosovës, Ajet Shoshollit.
Prezent në shfaqje ishte edhe presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, i cili vlerësoi lart Shoshollin.
Ademi me anë të një postimi në Facebook theksoi se Shosholli pas vetes ka një karrierë sa të suksesshme, aq edhe sakrifikuese.
I pari i FFK-së u ka bërë thirrje brezave të rinj të frymëzohen nga historia e Ajet Shoshollit.
Dokumentari “Trajneri i Gjeneratave” është realizuar në regji të Driton Siqecës, me skenar të Leart Hoxhës.
Postimi i plotë i Agim Ademit në rrjetet sociale:
Sonte pata kënaqësinë të isha prezent në shfaqjen e premierës së dokumentarit “Trajneri i Gjeneratave” kushtuar legjendës së futbollit tonë, Ajet Shosholli.
Baca Ajet pas vetës ka një karrierë sa të suksesshme po aq edhe sakrifikuese, bujare e përplot krenari. Ai i tregoi vlerat e tij si një njohës i jashtëzakonshëm i futbollit për gjysmë shekulli.
Me futbollin nisi që në moshën 12-vjeçe në klubin e qytetit të tij, Trepça, por padrejtësitë që bëheshin në atë kohë ndaj shqiptarëve nga politika e kohës dhe pamundësia për të depërtuar tutje, bëri që ai në moshën 26-vjeçare t’i jepte fund karrierës si lojtar, por jo edhe të qëndrojë larg futbollit.
Baca Ajet në fillim të viteve 70-ta mori thirrjen trajner futbolli, derisa në vitin 1973 mori përsipër drejtimin e Kosovës së Vushtrrisë. Nga aty filloi karriera e tij e suksesshme si trajner, ku me vendosmëri, punë, vullnet e guxim u shndërrua në model për trajnerët e tjerë në vitet pasardhëse.
Ai udhëhoqi me shumë sukses Trepçën dhe Prishtinën në ligën e atëhershme federative, kurse ishte edhe trajneri i parë i Kombëtares së Kosovës, në kushte e rrethana mjaft të vështira okupimi.
Baca Ajet punoi pareshtur dhe me pasion të madh për futbollin dhe me të drejtë vlerësohet si “Trajner i Gjeneratave”, pasi kudo ku punoi la gjurmë dhe zbuloi talente të shumta futbolli.
Dokumentari i sotëm, i cili e pasqyroi vetëm në pika të shkurta karrierën e tij të gjatë e shumë të suksesshme, do të mbetet një vlerë e rëndësishme e futbollit për brezat e ardhshëm.
Futbolli është më shumë se vetëm sport. Është një mjet për të krijuar ndryshime në shoqëri dhe për të inkurajuar njerëzit të ndjekin ëndrrat e tyre dhe baca Ajet arriti që këtë mesazh ta përcjellë tek gjeneratat e reja në vazhdimësi.
Historia e tij është frymëzuese dhe inkurajuese për të gjithë ne dhe na dëshmon se me punë dhe përkushtim mund të arrihen shumë gjëra.
Bacës Ajet i dëshiroj shëndet e jetë të gjatë, derisa brezat e rinj i inkurajoj të frymëzohen e mësojnë nga kjo histori e suksesshme e tij.