59 pika të rendit i pati në agjendë kryesia e Kuvendit, në mbledhjen e së hënës.
Shumica prej këtyre ishin tema të mbetura nga seancat e mëhershme, mirëpo pati edhe nga dhjetori i vitit të kaluar.
Për t’i kryer punimet ngelaqe, parlamenti vendosi që t’i trajtojë ato të mërkurave. Te enjtet i la për seancat e reja. Ngecjen në agjendën legjislative e pranon edhe partia më e madhe, Lëvizja Vetëvendosje. Por shefja e deputetëve të këtij grupi parlamentar, Mimoza Kusari-Lila, shprehet optimiste se brenda dy javëve do të trajtohen të gjitha temat e sesionit të kaluar.
Në këtë situatë, opozita mezi pret ta drejtojë gishtin kah shumica. Abelard Tahiri i Partisë Demokratike dhe Besnik Tahiri i Aleancës thonë se opozita është e kufizuar në çuarjen përpara të agjendës legjislative, prandaj faji është te mazhoranca.
Për vonesa në përfundim të seancave ankohen edhe monitoruesit e kuvendit. Naim Jakaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi thotë se kuvendi e ka nisur sesionin e ri pa plan pune, teksa edhe qeveria e ka vonuar agjendën e vet legjislative. Sipas tij, mospërfundimi i seancave po ndodh kryesisht për shkak të qëndrimeve politike të partive, gjatë diskutimit të pikave të rendit.
Mospërfundimi i rendit ditor e ka shoqëruar kuvendin thuajse në secilin sesion, çdo legjislaturë.