Tash e një kohë, qytetarët janë përballur me ngritje të çmimit të derivateve. Megjithatë, kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani njofton se që nga muaji mars do të ketë ndryshim drastik në rënie të çmimit.
“Të gjithë marketet i kanë rritë shportën e qytëtarëve në emër se nafta është shtrenjtë. Ka ardhur koha që edhe marketet të përgjigjen pozitivisht, t’i ulen çmimet sepse çmimi i naftës ka pësuar rënie. Nafta është me çmimin me ma të lirin në regjion, përveç Maqedonisë Veriore”, ka thënë Berjani për Gazetën Enigma.
Berjani ka thënë se vendimi i fundit i Ministrisë së Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë është i njëanshëm por që thotë se janë duke e respektuar.
Ai thotë se nuk kanë qenë të ftuar të marrin pjesë në konsulta ditën kur është marrë vendimi për marzhën e fitimit.
“Sa i përket vendimit të Ministrisë së Tregtisë ky është një vendim i cili është nxjerr pa prezencën tonë, ku obligative ka qenë që pjesë e këtij vendimi për tu nxjerr është dashur që të jetë edhe Shoqata e Naftëtarëve”.
“Po ne si shoqatë dhe si biznese të sektorit të naftës vendimi është duke u respektuar dhe u respektua me kohë. Ky vendim është pak më ndryshe se dy vendimet e kaluara ky është me marzhe tregtare apo marzhe fitimi”.
“Marzha e fitimit është për importues 2 cent, ndërsa me pakicë është 12 cent. Nuk është e mjaftueshme kjo marzh, por vendimi po respektohet në gjithë Kosovën”, shtoi ai.
Berjani ka thënë se çmimi derivateve në Kosovë është shumë i ulët. Çmimi aktual në tre është rreth 1.35 cent për litër.
“Sa i përket çmimit të derivateve të naftës, çmimi sot sillet një litër dizel 1 euro e 35 cent, ndërsa benzina 1, euro e 32 cent. Jemi më të lirët në regjion përveç Maqedonisë së Veriut, kështu që qytetarët tonë janë me një çmimi real duke u furnizuar në treg”.
“Sipas informatave që i kemi nga organizata prodhuese ‘OPEK’, është një realitete dhe pritet që muaji mars të jetë ende me çmim të derivateve më të lirë. Kështu që mendojmë sipas organizatës prodhuese ‘OPEK’ e cila e ka nxjerr një vendim thuhet se fundi i marsit do të jetë stabilizim i tregut në tërë globin”, u shpreh ai.
Thirrja e opozitës të largohet akciza e naftës
Ndërsa për kërkesat e opozitës që të largohet përkohësisht akciza e naftës, Berjani i konsideron si të padrejta. Thotë se me të mbushet buxheti i shtetit.
“Unë as një herë nuk e kam kërkuar heqjen e akcizës edhe kur ka qenë kryeministri Thaçi, Isa Mustafa, Ramush Haradinaj, tash Albin Kurti, as një herë nuk kam kërkuar se mbushte buxheti i Kosovës edhe shumë parti politike më tepër janë duke e bërë spektakël mediatik partitë politike, për të fituar poenë politikë që kërkojnë me heq akcizën, ata e dinë që akciza e mbush buxhetin dhe nuk duhet që të kërkohet. As nuk e kam kërkuar dhe prapë nuk e kërkojmë”, thotë ai, teksa tregoi edhe për çmimet që sillen në rajon.
“Sot një litër dizel në Shqipëri është 1 euro e 75 cent, benzina 1 euro e 78 cent, kështu që për 40 cent ne jemi më të lirë nga Shqipëria. Atje ka shumë taksa shtesë, ne e kemi përveç akcizës dhe tvzh-së, ata kanë edhe të rrugëve edhe kanë taksa shtesë tjera”, thotë Berjani. /Gazeta Enigma/.