Pas publikimit të propozimit evropian reagimet ishin të shumta nga skena politike.
Bashkimi Evropian ka publikuar përmbajtjen e plotë të planit evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë që tash e tutje do të quhet edhe “Marrëveshja për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë -Serbi”.
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, në një prononcim për Gazetën Enigma lidhur me propozimin evropian që u pranua nga Kurti, potencoi se kjo marrëveshje ka gjithçka përveç njohjes nga Serbia.
“Sonte në Bruksel, Kryeministri i Kosovës u pajtua me propozomin evropian mbi normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Nga publikimi i kësaj marrëveshje tashmë të dakorduar, por ende të paprezantuar në Kuvendin e Kosovës, u vërtetuan brengat e LDK-së, të bëra tashmë publike”. “Kjo marrëveshje nuk është finale dhe nuk e përmban njohjen e ndërsjellë. Për më tepër ajo mban në preambulë ambiguitet interpretues mbi statusin politik të dy shteteve. Gjithçka përveç njohjes – ishte qëllimi i Serbisë. Gjithçka përveç njohjes ka kjo marrëveshje sot, tashmë e pranuar nga palët.”, deklaroi Haziri.
Sipas nënkryetarit të LDK-së, ky dokument përfshinë edhe Asociacionin, dhe statusin e veçantë për Kishën Ortodokse Serbe.
“Dokumenti i pranuar po ashtu parasheh implementimin e të gjitha marrëveshjeve paraprake, përfshirë dhe Asociacionin si dhe statusin e veçantë për Kishën Ortodokse Serbe. Kryeministrit i ka mbetur vetëm ta dakordojë datën e themelimit te Asociacionit, meqë ai sonte ka pranuar që ta themelojë atë”, theksoi Haziri.
Ndërkohë, Haziri deklaron se LDK-ja menaxhimin e Kurtit sa i përket dialogut Kosovë-Serbi, e sheh si të gabuar.
“LDK konsideron se menaxhimi tërësisht i gabuar i procesit të dialogut nga Kryeministri i Kosovës përgjatë dy viteve të fundit, ka zhvendosur procesin e dialogut nga një marrëveshje përfundimtare e ligjërisht të obligueshme në një marrëveshje bazë, pa njohje në të dhe me vazhdimësi dialoguese për vitet e ardhshme. Përfundimi në mes të zgjedhjes së njê marrëveshje të tillë dhe izolimit eventual të Kosovës janë përgjegjësi e këtij Kryeministri”, përfundoi Haziri.
Ndryshe, sipas planit, palët pajtohen për fqinjësi të mirë dhe njohin dokumentet e njëra tjetrës, diplomat, targat etj., respektimin e pavarësisë së tyre, autonomisë e integritetit territorial, do të përmbahen nga përdorimi i forcës, nuk do të bllokojnë njëra tjetrën në rrugën euroatlantike, Serbia nuk do kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjërën prej organizatave ndërkombëtare, palët do të vazhdojnë procesin e dialogut për të shtuar bashkëpunimin, palët shkëmbejnë misione të përhershme, dhe palët përfitojnë financiarisht.