Debati lidhur me Propozimin Evropian – Marrëveshjen drejt normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë, u mbajt të enjten me kërkesën e opozitës në Kuvend.
Deputeti i AAK-së Bekë Berisha, tha se komuniteti serb është komuniteti më i mbrojtur në Evropë.
Sipas tij Asociacioni i shërben Serbisë si vegël destabilizuese në Kosovë.
“Minoriteti serb është komuniteti më i mbrojtur në Evropë. Prej pas luftës janë miratu më shumë se 200 ligje, që e parashikojnë mbrojtjen e këtij komuniteti. Kemi bë komuna me 500 banorë për serbët. Nuk ka Institucion, ku nuk janë te perfshirë.
Këtu e kemi ministrin e Bujqësisë, që mundet me na tregu kur ndahen 10 sera, një ndahet për komunitetin serb. Asociacioni i shërben Serbisë si vegël destabilizuese në Kosovë”, tha Berisha.
Ndërsa Kurti ka përsëritur disa herë qëndrimin e tij se nuk pajtohet me themelimin e një asociacioni njëetnik dhe me kompetenca ekzekutive, që do të ishte në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.
“Nëse më pyesni se a duhet zbatuar ato (marrëveshje) që i gjithë komuniteti ndërkombëtar i aleatëve pret që të zbatohen – përgjigja ime është po, por vetëm nëse zbatohen të gjitha në përputhje me përcaktimet kushtetuese të Republikës së Kosovës. Nuk lejoj përjashtime, fokusime e veçime në një (marrëveshje)”, tha Kurti.