Gjykata Themelore në Gjilan e ka shpallur fajtor Kushtrim Kadriun, asamblist nga radhët e Lëvizjes “Vatra” në Gjilan, për ngacmimin e tani ish-asamblistit nga radhët e AKR-së në këtë komunë, Arianit Ibrahimi.
Kadriu fillimisht është dënuar me një muaj burgim për veprën penale “ngacmim”. Por, me pëlqimin e tij, Gjykata ia ka zëvendësuar këtë masë me pagesën e një gjobe prej 500 euro.
Sipas vendimit të datës 6 shkurt 2023, të cilin e ka siguruar Front Online, i pandehuri Kadriu nga 4 marsi e deri më 26 gusht 2022 përmes shkrimeve në rrjetin social Facebook dhe platforma tjera online, me dashje e ka shqetësuar Ibrahimin, duke i denigruar figurën dhe duke i shkaktuar ndjenjën e frikës.
Gjykata e ka shpallur fajtor Kushtrim Kadriun për publikimin e teksteve si, “AKR me kuadro analfabete do të drejtoj Zyrën e Preshevës …Zyrën për Preshevë me drejtu një tip i AKR-s, nga M….. që në tre rreshta i bënë 26 gabime… Super Ofertë për AKR-n, kurs për zyrën e Preshevës… Kur është zgjedhur ky i zgjedhur, ky zartar i zyrës për Luginë, kjo lëndë do të dërgohet sa më parë në Policinë e Kosovës… Paska folë grupi i Çekisë a… Në ditët në vijim do të zbardhet e vërteta pse zyra për Preshevë ju dha AKR-s, A.I ka realizuar projekte duke ndihmuar Medvegjen me alltia me ujë me luftu Vuqiçin, ndërsa me bazën të bebave ka menduar me fundosë Serbinë ….” si dhe shkrime të tjera.
Të gjitha këto shkrime, sipas Gjykatës Themelore në Gjilan, Kadriu i ka dedikuar për të dëmtuarin, Arianit Ibrahimi.
Sipas vendimit të gjykatës me rastin e shqiptimit të dënimit thuhet se si rrethanë lehtësuese është fakti se i pandehuri Kushtrim Kadriu ka bashkëpunuar me prokurorin e shtetit, se ka arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë të cilën e ka pranuar në të gjitha fazat e procedurës penale, duke u penduar për kryerjen e kësaj vepre dhe premtuar gjykatësit se në të ardhmen nuk do të kryej vepra tjera penale. /Front Online/