Ramush Haradinaj ka mbledhur kryesinë e AAK-së dhe nga aty ka dalë me qëndrimin unanim të partisë pro propozimit evropian, të cilin tanimë e ka pranuar kryeministri Albin Kurti.
“Qëndrimi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në mbështetje të propozimit evropian për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, është qëndrim pro interesave nacionale e shtetërore. Ky është qëndrimi që ka dalë sot nga mbledhja e kryesisë së AAK-së”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Sipas Haradinajt, marrëveshja mbi bazën e propozimit evropian i hap Kosovës rrugë për integrim dhe për njohje të reja.
“Në takim theksova se kjo marrëveshje e propozuar është një e arritur e madhe, duke pasur parasysh rrethanat në të cilat ndodhemi si shtet. Rikonfirmuam mbështetjen tonë ndaj arritjes së kësaj marrëveshjeje, të bindur se kjo i mundëson Kosovës hapjen e perspektives integruese euro-atlantike dhe arritjen e njohjeve të reja. Ky qëndrim është tërësisht në interes të vendit dhe pa ndonjë kalkulim elektoral”.
Dy partitë e tjera opozitare, LDK-ja dhe PDK-ja janë kundër pranimit të propozimit, i cili nuk e përfshin njohjen reciproke mes Kosovës dhe Serbisë. Haradinaj shkruan se kushdo që e kundështon propozimin e sponsorizuar nga Perëndimi, i bën dëm vendit.
“AAK vlerëson ndihmën e aleatëve tanë, në veçanti të ShBA-së ndaj arritjes së kësaj marrëveshje. Kushdo që e kundërshton dhe tenton ta pengojë i bën dëm të madh vendit”, thuhet në postimin e Haradinajt.