Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku pas takimit që pati me kryeministrin Albin Kurti, njoftoi mbi zhvillimit e këtij takimi, raporton Gazeta “Enigma”.
Me këtë rast ai theksoi se tema kryesore e diskutimit ishte dialogu me Serbinë, për të cilin partia e tij i ofroi Kurtit edhe një platformë se si duhet të zhvillohet ky dialog.
“Në takim me kryeministrin Kurti, ne bëmë një qartësim, një kërkesë dhe një ofertë. Qartësimi ishte mbi dokumentet e dorëzuara tek kryeministri, dhe ne rikonfimuam edhe njëherë që gjitha dokumentet që i ka pasur Qeveria e kaluar janë dorëzuar, nëse nuk i kanë ose i kanë humbur, mund t’i kërkojnë sërish. Bëmë kërkesë që kjo Qeveri ta prezantoj në Kuvend se cili është qëndrimi i tyre për dialog”, tha kreu i LDK-së.
Kurse sa i përket dokumentit të dorëzuar, Abdixhiku tha se të njejtën Kurti mund ta përdor si platformë të veten në dialog me Serbinë.
“Ne po ashtu bëmë ofertë ku i dorëzuam kryeministrit një dokument, mbi pozicionin që ne mendojmë se Qeveria duhet ta ketë. Pra ai tashmë ka një dokument me pozicionin politik të LDK-së, që duhet ta prezantoj në dialog. Ky dokument përmban parimet që Kosova duhet ti mbrojë e që janë: diskutimi mbi bazën e GJND-së për pavarësinë e Kosovës, mbrojtja e integritetit territorial, mbrojta e karakterit unitar të Kosovës dhe rendi kushtetues. Dhe rezultati final duhet të jetë njihja finale nga Serbia”, theksoi tutje ai.
Ndërkohë një takim të ngjashëm kryeministri Kurti e zhvilloi të martën edhe me kreun e AAK-së, Ramush Haradinajn/Gazeta “Enigma”.