Trajneri i skuadrës së Llapit, Tahir Batatina, ka thënë pas ndeshjes së fituar ndaj Malishevës në çerekfinale të Kupës së Kosovës, se më shumë i është gëzuar fitores ndaj Bylbyl Sokolit, sesa që kaloi në gjysmëfinale të garës, raporton Gazeta Enigma.
Batatina ka nënvizuar se edhe pas 10-të vjetësh përballjeje me Sokolin, vazhdon të mbetet i pamposhtur nga ai.
Llapi fitoi ndaj Malishevës 6:5 në ekzekutimin e penalltive, pasi koha e rregullt dhe vazhdimet u mbyllën 2:2.
“Mendoj që penalltitë janë dramatike për çdo trajner. Fitorja e sotme është e madhe për Llapin. Malisheva nuk ka presion dhe nuk ka qenë e fokusuar në Kupë. Ne kemi qenë më të ngarkuar psiqikisht, kjo edhe ka ndikuar. Sot më gëzon fakti që edhe pas 10-të vjetësh nuk e kam asnjë humbje nga Bylby Sokoli. Kjo ka qenë dilema më e madhe. Ta mbaj skuadrën e pamposhtur ndaj një trajneri që mendon se është i mirë. Kemi potencial ta sjellim Kupën në Podujevë. Sot treguam se Llapi nuk dorëzohet pavarësisht se a është në disavantazh. E kemi shpirtin luftarak, ndërsa penalltitë vendosën. Kjo është gjëja më e mirë. Kemi shumë lojtarë të rinj që janë duke u promovuar. Tifozëve ‘Legjendave’ ua uroj fitoren. Më meritorët janë djemtë që luftuan në fushë. Në gjysmëfinale do të jetë një numër i madh i tifozëve dhe fitimi i Kupës është objektivi im. Sot jam i lumtur që nuk u mposhta nga Malisheva e Bylbyl Sokolit”, ka thënë fillimisht trajneri i llapjanëve.
Në gjysmëfinale, Llapi do të përballet me Prishtinën, Gjilanin apo Vushtrrinë, që janë gjysmëfinalistët e tjerë të Kupës së Kosovës. Kjo do të caktohet më vonë me short.
Batatina ka thënë se nuk e ka problem se cila do të jetë kundërshtarja e radhës, por preferon që në gjysmëfinale të takohet me Prishtinën apo Gjilanin.