Real Madridi e ka mposhtur Liverpoolin (1-0) edhe në ndeshjen kthyese të 1/8 së finales së Ligës së Kampionëve që u zhvillua në Santiago Bernabeu.
Los Blancos fituan me rezultat të thellë prej 5-2 në Anfield dhe pas triumfit edhe në kryeqytetin spanjoll, vazhdojnë tutje në garën elitare me rezultat të përgjithshëm prej 6-2.
Ishte një gjysmë e parë fantastike, në të cilën u regjistrua lojë e hapur, dinamike dhe raste të njëpasnjëshme nga të dyja palët.
Darwin Nunez pati një prej rasteve të para, mirëpo Thibaut Courtois ia mohoi golin. Në anën tjetër, vendasit rrezikuan përmes Vinicius Junior, derisa goditja e frikshme e Eduardo Camavingas u devijua dhe me një prekje të Alisson u përplas në transversale.
Reklama
Pasoi një goditje tjetër e jashtëzakonshme nga Luka Modric, e cila shkoi shumë pranë mbi portë. Sërish në anën tjetër i rrezikshëm u tregua Nunez, mirëpo përsëri në vend ishte Courtois për t’ia mohuar golin.
Rastet vazhduan edhe në fraksionin e dytë me Federico Valverde e Karim Benzema që i patën mundësitë më të mira për të shënuar.
Momenti i golit erdhi në minutën e 79-të, kur pas një asistimi nga Vinicius, Karim Benzema nuk e pati të vështirë të realizonte.
Ky ishte edhe goli i fitores, duke qenë se deri në fishkëllimën e fundit të gjyqtarit rrjetat nuk u prekën më, ashtu që Real Madridi vazhdon garën në çerekfinale të Ligës së Kampionëve.