Braktisja e fëmijëve është shndërruar në një fenomen mjaft shqetësues në vendin tonë. Ka jo pak raste kur prindërit ua kthejnë kthyer shpinën fëmijëve të tyre dhe i lënë në mëshirë të fatit. Një rast i tillë dhe mjaft i rëndë ka ndodhur së fundmi në një familje në Hajvali të Prishtinës.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se këtë herë një nënë 22-vjeçare ka braktisur me dëshirën e saj dy fëmijët 2 dhe 3-vjeçar, për të cilët ka vendosur që të mos kujdesej më dhe t’i dërgojë te ish bashkëshorti.
Posa rasti u zbulua nga Policia, Sinjali mëson se hetuesit kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore, me ç’rast prindërit e të dyshuarës janë intervistuar dhe e kanë konfirmuar se vajza e tyre i ka braktisur fëmijët e saj, pasi nuk dëshiron të jetojë me ta.
Ndonëse nuk dihen motivet që e kanë shtyrë të dyshuarën të ndërmarrë këtë veprim, ajo është futur në telashe pasi braktisja e fëmijës përbën vepër penale. Si rrjedhojë, 22-vjeçarja është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që e dyshuara të dërgohet në mbajtje për 48 orë dhe ndaj saj të iniciohet rasti për veprën penale “Keqtrajtimi apo braktisja e fëmijës”.