Kryeministri kroat Andrej Plenkoviç i cili ka qëndruar në Bruksel në samitin e liderëve evropianë është pyetur nëse presidenti rus Vladimir Putin, ndaj të cilit Gjykata Penale Ndërkombëtare (ICC) ka lëshuar një urdhër arresti, do të vizitonte Kroacinë, ado të arrestohej në përputhje me procedurën e përcaktuar me ligj.
Plenkoviç ka thënë se Kroacia është nënshkruese e statutit të Gjykatës Ndërkombëtare Penale dhe ka miratuar një ligj për bashkëpunimin me atë gjykatë.
“Ai ligj parashikon të gjitha procedurat në rast se ka urdhër arrest për një person dhe me sa di unë këtu nuk vlen imuniteti. Rrjedhimisht, procedura do të ishte pikërisht ashtu siç parashikon ai ligj dhe sigurisht që do të reagonin policia kroate dhe autoritetet kompetente”, tha Plenkoviç duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari se si do të vepronte Kroacia në rast të vizitës së Putinit.
Kryeministri kroat megjithatë theksoi se një vizitë e tillë “në fund të fundit nuk është realiste”.
“Nuk besoj se (Putin) do të shkojë kaq shpejt në vendet nënshkruese të Statutit të Romës”, tha Plenkoviç në Bruksel pas samitit të BE-së.