“Ritheksuam qëndrimin e shtetit të Kosovës, por edhe garantimin e Departamentit të Shtetit, se nuk mund të formohet kurrfarë asociacioni apo ndonjë mekanizëm tjetër që cenon sovranitetin, pavarësinë, integritetin territorial dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës”, kështu ka deklaruar kryeparlamentari Konjufca pas takimit me emisarin amerikan, Escobar në ShBA
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca është takuar me përfaqësuesin special të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar gjatë vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Konjufca ka theksuar se në takim me Escobar kanë diskutuar rreth zhvillimeve të fundit në vend dhe rajon, për procesin e dialogut dhe marrëveshjen e Ohrit si dhe normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë.
Në këtë takim Konjufca ka marrë garanci nga emisari amerikan, Escobar se nuk mund të formohet kurrfarë asociacioni apo ndonjë mekanizëm tjetër që cenon sovranitetin e Kosovës.
“Ritheksuam qëndrimin e shtetit të Kosovës, por edhe garantimin e Departamentit të Shtetit, se nuk mund të formohet kurrfarë asociacioni apo ndonjë mekanizëm tjetër që cenon sovranitetin, pavarësinë, integritetin territorial dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Konjufca.
“Ndamë pikëpamje të njëjta që të vazhdojmë të punojmë së bashku për agjendën e përbashkët të anëtarësimit të Kosovës në strukturat euroatlantike dhe organizata ndërkombëtare, e po ashtu edhe për avancimin e marrëdhënieve dypalëshe mes Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës” ka vijuar ai.