Infermierët e sektorit publik paralajmërojnë se do të hyjnë në grevë, në rast se nuk merren parasysh kërkesat e tyre, e ato janë, rritja e pagesës për ndërrimet e natës dhe pagesa për kujdestaritë për të shtunat e të dielat.
Mentor Sejdiu, nënkryetar i Shoqatës Sindikale të Infermierëve të QKUK-së tha se ata si sindikatë, janë të diskriminuar me Ligjin për Pagat.
“Edhe sot ka qarkulluar një tabelë për pagesën për kujdestari ku shihet edhe aty një diskriminim nga ata që për dëshirën e vet e rregulluan kujdestarinë me Ligjin për Pagat, por për infermierët asgjë”, tha Sejdiu për RTK-në.
Ai sqaroi se për të mërkurën kanë thirrur në takim kryetaren e sindikatës, Tevide Imeri, me të cilën u shpreh se do të bisedojnë dhe do të dalin me një konkludim se çfarë të bëjnë.
“Për infermierët, pagesa është vetëm 20 euro ndërrimi i natës, siç ka qenë edhe më herët, kurse të shtunën e të dielën nuk ka pagesa, dhe vazhdon avazi i vjetër”, tha Sejdiu.
Ai i bëri thirrje kryeministrit që t’i mbajë fjalët që i ka dhënë për barazi për të gjithë.
“Duhet t’i gjejë këta njerëz e t’i vendos para drejtësisë e jo vetëm për këtë pabarazi ndaj infermierëve, por edhe për stafin tjetër mbështetës”.
Sejdiu u shpreh se ndërrimi për tetë orë është paguar më parë 18 euro e tash paguhet 20 euro.
“Ta marrim shembull emergjencën ku ata që kanë punuar për interesa të veta, një ndërrim të natës e kanë 300 euro. Me Ligjin për Paga, 155% është rritur paga për mjekët, kurse për infermierët është 20 euro”, tha ai, duke shtuar se edhe infermierët e mjekët punojnë në një vend dhe pacientin e kanë të njëjtë.
“Është diskriminim total”, tha ai.
Sejdu tha se kanë biseduar me akterët për Ligjin për Pagat dhe ku kemi shkuar na kanë pritur ministra, deputetë e mjekë, por në fund ata i rregulluan vetëm për vete”, thotë ai.
“Asgjë për infermierë e staf mbështetës”.
Sidoqoftë, ai u shpreh se të mërkurën, sindikata do të mbajë mbledhje e do të dalë me njoftim se kur do të hyjnë infermierët në grevë. “Sepse ka ardhur fundi”.