Dhuna në familje vazhdon të mbetet një nga damkat më të mëdha të shoqërisë kosovare. Çdo ditë në Polici raportohen raste të grave që përjetojnë dhunë në forma të ndryshme nga personat të cilët i kanë zgjedhur të ndajnë jetën me ta, por edhe nga anëtarët tjerë të familjes.
Ndihmën e Policisë e ka kërkuar gjatë ditës së djeshme edhe një grua 26-vjeçare në Prishtinë, e cila e ka raportuar burrin me të cilin ka bashkëjetuar për vite me radhë, për shkak të dhunës që dyshohet se ka ushtruar ndaj saj.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije për Sinjalin se viktima, e cila ka një fëmijë nga bashkëjetesa me të dyshuarin, e ka sulmuar fizikisht, duke i shkaktuar frikë e shqetësim që të jetojë me të. Përballë kësaj situate, ajo ka kërkuar ndihmë para se të ndodhë diçka më e keqe.
Si rezultat i denoncimit, Policia e ka arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor të dyshuarin, i cili e ka mohuar kategorikisht ta ketë sulmuar partneren e tij, e cila ka kërkuar urdhër mbrojtës.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit si “Dhunë në familje” dhe ndalimin e të dyshuarit për 48 orë.