Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq i tha ambasadorit të Francës në Serbi, Jean-Louis Falconi, se gjithmonë ekziston një gatishmëri për të gjetur një zgjidhje kompromisi për zgjidhjen e problemeve me Kosovën dhe që ai do t’i përgjigjet ftesës nga Brukseli.
“Vuçiq theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me Francën për Serbinë, si në nivelin politik dhe ekonomik, si dhe tha se është i kënaqur me vëmendjen që presidenti francez, Emmanuel Macron i kushton marrëdhënieve midis dy vendeve”, thuhet në njoftimin nga zyra e presidentit serb.
Në takim, ku morën pjesë ministrat serbë Sinisha Mali dhe Nebojsha Stefanoviq, ata diskutuan për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit, veçanërisht në fushën e infrastrukturës, si dhe në fushën e mbrojtjes, përkatësisht bashkëpunimin ushtarak-teknik.
“Vuçiq pret që rezultatet e mira ekonomike dhe kushtet e investimeve do të sjellin më shumë investitorë nga Franca në Serbi”, thuhet në njoftim.