Gjuajtjet me armë zjarri janë bërë të shpeshta në vendin tonë, duke cenuar kështu sigurinë e qytetarëve të cilët ka rast kur mund t’u rrezikohet jeta si pasojë e plumbave qorr.
Disa të shtëna u dëgjuan edhe mbrëmë pas mesnate në rrugën ‘Agim Ramadani’ në Prishtinë, ku një person ende i paidentifikuar dyshohet se ka gjuajtur me armë në ajër.
Sinjali mëson se një qytetar ka njoftuar Policinë, me ç’rast një njësi policore ka dalë në vendin e ngjarjes ku ka gjetur dhe sekuestruar dy gëzhoja të cilat dyshohet se i përkasin armës që u përdor në rast.
Sipas tij, i dyshuari menjëherë pasi ka shtënë në ajër, është larguar në drejtim të panjohur.
Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të identifikohet i dyshuari.