Trajneri nga Afrika e Jugut, Alan Clark, ishte prezantuar me bujë tek skuadra e Llapit, por që gjërat nuk shkuan ashtu siç pritej.Ai ishte emëruar ndihmëstrajner i parë i Tahir Batatinës së pari në vitin 2020, para se të zhvendosej në postin e trajnerit të U19 pak kohë më vonë, por që më pas u largua edhe nga aty.
Skuadra nga Podujeva i detyrohet trajnerit jugafrikan paga të mbetura nga marrëveshja që kishte me të gjatë sezonit 2020/21 kur Clark udhëhoqi ekipin U19 llapjan.Ai pretendon se ka një shumë të parave të cilat nuk i janë paguar nga klubi, gjë për të cilën të drejtë i ka dhënë edhe CAS.
Në një prononcim për ‘GazetaBlic Sport’, Clark tha se e ka fituar këtë çështje në fillim të vitit, por që këto pagesa nuk janë kryer. Ai konfirmoi se klubit i’u ndaluan regjistrimet e futbollistëve dhe tha poashtu se rrezikon një tjetër dënim me zbritje prej 6 pikëve, por dhe më pas edhe më rënie në Ligën e Parë.
“Po, unë fitova çështjen në CAS në fillim të këtij viti dhe klubi i Llapit u urdhërua të paguante të gjitha borxhet e mia të papaguara si dhe interesat e borxhit. Ata janë dënuar edhe me gjoba për mospagesë. Unë nuk mund të zbuloj shumat financiare. Ata janë dënuar nga FIFA dhe CAS me gjoba si dhe me ndalim transferimi të lojtarëve. Nëse ata vazhdojnë të injorojnë çmimin dhe nuk paguajnë, ata do të marrin një zbritje prej 6 pikësh dhe më pas rënie të mëtejshme në një divizion më të ulët. Politikat e klubit deri më tani ka qenë të na injorojnë ne, në CAS dhe FIFA”, tha fillimisht ai.
Clark tha se sa më shumë që vonohet kryerja e obligimeve ndaj tij, aq më i madh do të jetë ndëshkimi për skuadrën e Tahir Batatinës.
“Këtu interesi i është bashkangjitur shumës që i detyrohen dhe ndëshkimet vazhdojnë të rriten, kështu që sa më gjatë të zgjasin aq më shumë do të përfundojnë duke paguar më shumë dhe duke u ndëshkuar më shumë. Atyre u mungon sensi i pastër i bashkëpunimit. CAS, FIFA dhe ligji nuk kujdesen për mendimin e Tahir Batatinës, kështu që është i parëndësishëm dhe vetëm respektimi i ligjit është i rëndësishëm në këtë moment”, përfundoi ai.