Osmani e pakënaqur me marrëveshjen e Ohrit sepse s’u përfshi njohja reciproke

Osmani e pakënaqur me marrëveshjen e Ohrit sepse s’u përfshi njohja reciproke

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani në një intervistë për gazetën britanike “The Sun” ka thënë se Kosova është e zhgënjyer që njohja reciproke s’është përfshirë në mënyrë eksplicite në marrëveshjen e arritur në Ohër në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Sipas shefes së shtetit, njohja reciproke është e vetmja zgjidhje që mund të çojë në paqe afatgjate në rajon.

“Ne jemi absolutisht të zhgënjyer që njohja reciproke nuk përfshihet në mënyrë eksplicite në këtë marrëveshje, sepse kjo është zgjidhja e vetme që mund të çojë në paqe dhe stabilitet afatgjatë”, ka thënë Osmani për “The Sun”, transmeton Express.

Tutje ajo ka thënë se Serbia duhet të arrijë në pikën kur e kupton që realiteti i Kosovës shtet I pavarur dhe sovran është një realitet që do të ekzistojë përgjithmonë dhe s’do të ketë ndryshim.

“Serbia duhet të arrijë në atë pikë ku ata të kuptojnë se realiteti i Kosovës si shtet i pavarur sovran është një realitet që do të ekzistojë përgjithmonë, ne nuk do të kthehemi, kjo nuk do të ndryshojë”, ka thënë shefja e shtetit.

Ajo ka potencuar se sa më shpejt dhe sa më shumë që partnerët e Kosovës ia bëjnë të qartë këtë Serbisë, do të jetë aq më mirë për Serbinë, për rajonin dhe për raportet Kosovë-Serbi.

“Pra, sa më shpejt dhe sa më shumë që partnerët tanë ta thonë këtë dhe t’ia bëjnë të qartë Serbisë, aq më mirë për Serbinë, aq më mirë për rajonin dhe sigurisht për marrëdhëniet tona”, ka shtuar tutje.

Osmani në këtë intervistë ka ripërsëritur edhe shqetësimin për lidhjen e ngushtë që ka Aleksander Vuçiq me Vladimir Putinin dhe rezistencën që Vuçiq po ia bën presionit ndërkombëtar për sanksione kundër Rusisë.

Related Articles