Milot Rashica pritet të jetë pjesë e Galatasarayt së paku edhe një vit.
Futbollisti kosovar e ka gjetur formën ideale në Turqi, ndërsa është i huazuar për një sezon nga Norwich City tek klubi nga Stambolli.
E palët janë duke negociuar në mënyrë që përfaqësuesi kosovar të mbetet në Superligën turke.
Sipas mediumit turk “Fanatik”, klubet tashmë janë marrë vesh që 26 vjeçari të mos kthehet në “Carrow Road” në verën që vjen, përcjell “Gazeta Express”.
Me këtë rast, bisedat do të thellohen në javët në vazhdim, ku do të vendoset përfundimisht nëse Norwichi do ta shesë përfundimisht futbollistin ofanziv, apo do t’ia japë Galatasarayt hua edhe për një vit.
Turqit sigurisht që janë të interesuar ta blejnë përfundimisht kartonin e yllit kosovar, për të cilin i ofrojnë 5 milionë euro.
Por, klubi nga Championshipi anglez i kërkon së paku 10 milionë për lojtarin ofanziv.
Prandaj, duke e pasur parasysh që oferta dhe kërkesa janë larg njëra-tjetrës, nuk përjashtohet mundësia që Rashica ta kalojë edhe një vit në formë huazimi në Stamboll.
Vushtrriasi ka kontratë me Norwichin deri në vitin 2025, ndërsa luajti një vit në këtë ekip, prej nga u largua pas rënies nga Premierliga, shkruan “Gazeta Express”.
Rashica i ishte bashkuar Norwichit nga Werder Bremeni në verën e vitit 2021.
Rashica është bërë lojtar mjaft i rëndësishëm i Galatasarayt, ndërsa ka kontribuuar me gola dhe me asistime, duke qenë pjesë e serisë prej 14 fitoresh radhazi.