Rastet e dhunës në familje janë vazhdimisht në rritje, pasi që çdo ditë në të gjitha rajonet e Kosovës denoncohen dhjetëra raste të dhunës, ku viktima zakonisht janë gratë dhe vajzat të cilat dhunohen në forma të ndryshme kryesisht nga bashkëshortët, por edhe nga anëtarët tjerë të familjes, raporton Gazeta Sinjali.
Në Polici kanë përfunduar mbrëmë edhe një çift nga Prishtina, pasi gruaja ka denoncuar bashkëshortin e saj për shkak të dhunës fizike që ka ushtruar ndaj saj.
Sinjali mëson se 28-vjeçarja ka dhënë dëshminë e saj para hetuesve policorë, ku ka rrëfyer se si burri e ka sulmuar fizikisht, pas një mosmarrëveshje mes tyre, duke i shkaktuar shqetësim e frikë në vazhdimësi.
Përballë kësaj situate, gruaja ka vendosur që të kërkojë ndihmën e Policisë dhe si rezultat i denoncimit, njësitë policore kanë arrestuar të dyshuarin, i cili është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar nga hetuesit lidhur me rastin.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që i dyshuari të dërgohet në mbajtje dhe ndaj tij është iniciuar rasti ‘Dhunë në familje’.