Shteti i Kosovës nuk ka bazë ligjore që t’a paguajë dëmshpërblimin për viktimat në rastin e Salih Mustafës. Kështu bëri të ditur ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Ajo thotë se nuk mund të veprojnë në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.
“Më duhet të theksoj se ne nuk mund të veprojmë në shpërputhje me legjislacionin që ka Republika e Kosovës. Ne e kemi Ligjin për kompensimin e viktimave të krimit dhe ky Ligj jep mundësi Komisionit përkatës, që është në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë që të kompensojnë viktimat e krimit. Mirëpo për veprat të cilat nuk ndërlidhen me luftën. Prandaj ne edhe kemi sqaruar se rregullimi aktual nuk e adreson këtë çështje…unë mendoj se nuk ka bazë ligjore për të bërë një gjë të tillë”, deklaroi ajo në “Këndi i Debatit” në Tëvë 1.
Dhomat e Specializuara të Hagës kanë vendosur që Salih Mustafa do u paguajë 207 mijë euro dëmshpërblim viktimave në rastin e tij.
Trupi gjykues i bëri thirrje shtetit të Kosovës që të miratojë ligjet e nevojshme dhe të krijojë një mekanizëm për zhdëmtim, që të kompensohen viktimat e krimeve të luftës.
Më 16 dhjetor 2022, trupi gjykues e ka shpallur fajtor dhe ka dënuar Salih Mustafën me 26 vite burgim për krime lufte.