Dea Salihu ende nuk e di nëse do ta përfaqësojë Kosovën, vendin e lindjes së prindërve të saj, apo Gjermaninë, vendin ku është rritur.
Por, Dea e ka të qartë synimin për karrierën në sportin e pingpongut. Ëndrra e saj është të arrijë kulmin në ngjarjet e mëdha ndërkombëtare në pingpong.
Për të arritur sukseset që i synon, 16-vjeçarja e di se i duhet shumë punë. Punën e madhe po e bën tashmë. Stërvitet intensivisht pesë herë në javë.
Dea Salihu, që jeton në Munih të Gjermanisë, merr pjesë në garat e grupmoshës U19. Në raste edhe në garat për seniore.
Salihu thotë se konkurrenca është e madhe në Gjermani.
“Niveli është shumë i lartë. Ka konkurrencë shumë të madhe. Është e vështirë të arrish diçka të madhe, sepse konkurrenca është shumë e madhe dhe duhet të sakrifikosh shumë. Duhet të bëhesh kampione në Bayern, për të dalë në nivelin më të lartë në Gjermani, për të dalë kampione dhe të luash në Kampionate Evropiane dhe Botërore”, thotë Dea Salihu për Kohën.
Ajo me sportin e pingpongut ka nisur të merret prej vitit 2015.
Thotë se është në “top 8” në regjionin e Bavarisë. Shton se ka luajtur në gara ekipore për Gjermaninë në nivel të të rinjve. Dea thekson se në vitin 2017 në gara ekipore ka zënë vendin e parë në regjionin e Bavarisë, ndërsa në nivel të senioreve ka zënë vendin e dytë.
Ajo synon që të bëhet e para në regjionin e Bavarisë dhe të prekë majat në garat evropiane e botërore. Pret ftesë sërish nga Kosova, të cilën e ka përfaqësuar më parë në një turne për të rinj në Albena të Bullgarisë.
“Ka qenë turne ballkanik. Atëherë isha kadete. Luajtëm gara ekipore një herë. Kemi humbur, por unë lojërat e mia i kam fituar të gjitha. Pastaj kemi pasur ditën e dytë, garat individuale. Fatkeqësisht, u sëmura dhe nuk isha mirë me shëndet dhe për këtë arsye nuk arrita të vazhdoj”, tregon Salihu.
Sipas Salihut, niveli i pingpongut në regjionin e Bavarisë është më i lartë se ai i Ballkanit në përgjithësi.
Ajo stërvitet intensivisht me trajneren Csilla Bartofi.
Trajnerja Bartofi ka bagazh të madh në sportin e pingpongut, ndërsa është nga Hungaria.
Ajo ka garuar në pesë Olimpiada rresht, nga viti 1988 deri në vitin 2004. Ka fituar tituj të Kampionateve Evropiane. Në vitin 1986 u shpall sportistja më e mirë e vitit në Hungari, pasi e fitoi Kampionatin Evropian.
Dea ka prej kujt të mësojë, ndërsa shpreson që një ditë të ketë sukseset e legjendës hungareze të pingpongut.