Abuzimi me substanca narkotike nga të rinjtë mbetet një shqetësim i madh në shoqërinë kosovare. Edhe më shqetësues këtë dukuri e bën mungesa e trajtimit preventiv nga institucionet. Varësia nga droga sa vjen e shtohet dhe kjo dëshmohet çdo ditë me kapjen dhe arrestimin e dhjetëra personave konsumues e shpërndarës të substancave narkotike.
Sot u raportua se një rast i tillë është zbuluar edhe dje te pompa e derivateve “Shell” në Veternik të Prishtinës, ku Policia ka ndaluar një veturë, nën dyshimet për gjësende të kundërligjshme.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bëhet fjalë për të dyshuarin Shkumbin Ademi, (25) i cili tashmë ndodhet nën masën e ndalimit policor, pasi Policia ia gjeti 15 qese me substancë narkotike, të llojit marihuanë.
Sinjali mëson se i dyshuari ka deklaruar para Policisë se është përdorues i drogës dhe nuk ka pasur qëllime për shitblerje të substancave të tilla
Pas përfundimit të kontrollit policor, qeset me marihuanë janë sekuestruar, ndërsa dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku ka dhënë deklaratën e tij lidhur me veprën me të cilën ngarkohen.
Pas përfundimit të proceduarve policore, Prokurori ka urdhëruar ndalimin e tij dhe inicimin e rastit për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Sipas Kodit Penal të Kosovës, është e jashtëligjshme që qytetarët të blejnë, posedojnë apo shpërndajnë substanca narkotike dhe mund të dënohen me gjobë apo burgim, varësisht nga sasia dhe lloji i lëndës narkotike që iu kapet nga autoritetet e rendit.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.