Ka nisur dëgjimi i dëshmitarit të dytë të Prokurorisë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Fillimisht dëshmitari bëri betimin se do ta thotë të vërtetën para trupit gjykues, derisa Gjykata njoftoi se dëshmia do të zgjasë të paktën pesë ditë.
Zyra e Prokurorisë së Specializuar i ka kërkuar 7 orë kohë për ta intervistuar dëshmitarin, mbrojtja e viktimave 15 minuta dhe mbrojtja e të akuzuarve 12 orë.
Ndërsa paraprakisht, Gjykata njoftoi se gjatë ditës do të lëshohet një vendim verbal për një çështje që ka të bëjë me të akuzuarin Thaçi.
Me të nisur dëshmia, procesi kaloi në seancë të mbyllur.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi janë parë në sallën ku po zhvillohet procesi gjyqësor ndaj tyre.
Pas më shumë se dy vjet në paraburgim, gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka filluar më 3 prill me deklaratat hyrëse të palëve.
Ata janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.
Ish-krerët e UÇK-së po gjykohen për krime të pretenduara të luftës dhe po mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.