Në gjithë vendin gjatë së shtunës janë vaksinuar mbi 1 mijë persona në të gjitha qendrat e vaksinimit kundër virusit Covid-19.
Përderisa në sallën “1 Tetori”, në Prishtinë vaksinën e kanë marrë 100 persona mbi moshën 65 vjeçare.
Këtë e konfirmoi, Niman Bardhi, koordinator i kësaj qendre.
“100 persona janë vaksinuar në Sallën ‘1 Tetori’, ndërsa në nivel vendi mbi 1 mijë persona kanë marrë vaksinën anti-Covid, Ndërsa mbi 63 mijë janë dhënë vaksina që nga fillimi”, tha Bardhi.
Ministria e Shëndetësisë njoftoi të enjten se në Kosovë kanë arritur 100.620 doza të vaksinës Pfizer/BioNTech.
Këtë kontingjent të vaksinave, Kosova e ka siguruar përmes programit COVAX të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, që ka për qëllim shpërndarjen e vaksinave në vendet e varfra.
Dy javë më parë, Kosova po ashtu ka pranuar 38.400 doza të vaksinës nga COVAX-i si dhe 15.000 doza të tjera, donacion nga Bashkimi Evropian.
Në Kosovë, procesi i vaksinimit kundër COVID-19 ka nisur në fund të marsit, pas pranimit të 24.000 dozave të vaksinës së kompanisë AstraZeneca. Fillimisht janë vaksinuar punëtorët shëndetësorë, personat mbi 80 vjeç dhe ata me sëmundje kronike.
Aktualisht po vazhdon faza e dytë e procesit të imunizimit, ku janë duke u vaksinuar grupmosha 65-79 vjeç.
Autoritetet në Kosovë kanë thënë se kanë për synim që deri në fund të vitit të vaksinojnë 60 për qind të popullatës.