Atalanta mposhti mbrëmjen e së hënës Romën me shifrat 3-1 me bergamaskët që tashmë rihapin garën për vendin e katërt të Serie A, që garanton pjesëmarrjen në Champions Leaguen e sezonit të ardhshëm. Pjesë e sfidës ishte edhe mbrojtësi i kombëtares, Berat Gjimshiti.
Por, 30-vjeçari ishte i pafat pasi për shkak të një dëmtimi në gishtin e madh të këmbës u detyrua të zëvendësohej mes dhimbjeve në minutën e 73-të. Gjimshiti u pa në vështirësi pasi u shkel nga Tammy Abraham dhe mund të ketë mbyllur para kohe sezonin teksa trajneri Gian Piero Gasperini u shpreh pas ndeshjes se duhen pritur analizat për të folur me saktësi.
“Mendoj se Gjimshiti mori një goditje të fortë në gishtin e madh të këmbës. Duhen testet për të provuar nëse bëhet fjalë për thjesht një goditje apo nëse kemi të bëjmë me një thyrje. Në ditët në vijim do ta shohim, por rreziku ekziston”, u shpreh Gasperini.
Sakaq, testet te Atalanta do të tregojnë edhe nëse mbrojtësi do të jetë gati për ndeshjet kualifikuese të Shqipërisë në muajin qershor kur kuqezinjtë e Sylvinhos presin Moldavinë dhe udhëtojnë në transfertë ndaj Ishujve Faroe./ss