Të shtënat me armë në ahengjet në Kosovë janë dukuri e shpeshtë, të cilat përveç se janë të kundërligjshme, shumë herë janë edhe të rrezikshme. Për një rast të tillë, që ka ndodhur dje në fshatin Hajvali të Prishtinës, ka nisur hetimet Prokuroria.
Sinjali mëson se fillimisht Policia ka marrë informacionet nga disa qytetarë se janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri në një aheng familjar, me ç’rast njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë takuar personin e dyshuar.
I riu, i cili e ka organizuar ahengun, ka deklaruar para policëve se ka gjuajtur me armë në shenjë gëzimi, me rastin e ditëlindjes së tij, duke e shkrepur armën hiç më pak se 10 herë.
Si pasojë e rrezikut që ka shkaktuar, i njëjti është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar.
Ndaj të dyshuarit, burimet thonë se Prokurori i Shtetit ka urdhëruar nisjen e hetimeve në drejtim të veprave penale ‘Shkaktim i rrezikut përgjithshëm’.
Kujtojmë se ka disa raste kur nga të shtënat festive, kanë pësuar edhe me jetë qytetarët e pafajshëm, madje edhe ata që nuk ishin pjesë e ahengjeve.