Sot disa media në Kosovë njoftuan se ish kreu i OVL UÇK-së , Hysni Gucati, do të vijë në Kosovë, për ta takuar nënën e sëmurë, shkruan Gazeta “Enigma”.
Por nga Gjykata Speciale për “Enigmën” kanë sqaruar se një gjë e tillë nuk qëndron, dhe njoftimi në faqen zyrtare të Speciales ka të bëjë me vizitën që Gucati kishte bërë në mars.
“Vendimi i publikuar së fundi në faqen tonë të internetit, me të cilin lejohet vizita e kujdestarisë së z. Gucati në Kosovë është e datës 10 mars dhe ka të bëjë me vizitën e fundit të z. Gucati në Kosovë. Regjistrimi fillimisht ishte konfidencial dhe së fundmi u riklasifikua si publik dhe më pas u publikua në faqen tonë të internetit më 24 prill”, thuhet në përgjigjen e zëdhënëses së Speciales, Anglesa Griep.
Kujtojmë se Dhomat e Specializuara të Kosovës, i kanë gjetur fajtor Hysni Gucatin e Nasim Haradinajn. Gucait dhe Haradinaj janë dënuar me nga 4 vjet e gjysëm burgim Trupi gjykues i kryesuar nga Charles Smith, e ka shqiptuar vendimin në seancën.
Këtë vendim, Specialja e ka arsyetuar me faktet e prezantuara nga Prokuroria, se të akuzuarit i kanë rrezikuar proceset që po zhvillohen në Hagë, kanë frikësuar dëshmitarë dhe kanë zbuluar fshehtësitë zyrtare. Të akuzuarve do t’iu llogaritet edhe koha 20-mujore e kaluar në paraburgim. /GAZETA ENIGMA/