Dy mjekët e Spitalit të Përgjithshëm të Gjilanit, kirurgu Luan Mustafa dhe anesteziologu Halil Basha, janë arrestuar mbrëmë nga Krimet Ekonomike nën dyshimin për marrje ryfsheti. Mjekët janë arrestuar gjatë kujdestarisë.
Lidhur me rastin Drejtori i Spitalit të Gjilanit Arsim Emini, i cili tha se është njoftuar nga Krimet Ekonomike për arrestimin e mjekëve pasi që është dashur ta organizojë kujdestarinë.
“Sektori për Krime Ekonomike mbrëmë rreth orës 20:00 më ka njoftu që janë arrestu dy mjekë të cilët akanë qenë në kujdestari, një kirurg dhe një anesteziolog, për arsye të dyshimit për mitmarrje. Ata më kanë njoftu për atsye se kanë qenë në kujdestari dhe është dashtë me organizu kujdestarinë që meqë i kanë marrë për intervistim dhe më vonë e kam marrë vesh që i kanë ndalu për 48 orë, na kanë lajmëru që me organizu punën që mos me mbet spitali pa mjekë. Këto janë informacionet”, tha doktor Emini të dielën për Gazetën Express.
Policia e Kosovës njoftoi sot se mjekët janë arrestuar nën dyshimet se kanë kryer veprën penale “marrje ryfsheti”, për të kryer një ndërhyrje.
Sipas policisë, anesteziologu dyshohet se kishte kërkuar ryshfet në vlerë prej 100 euro nga viktima për të kryer një ndërhyrje.
Ndërsa kirurgu dyshohet se kishte marrë, lidhur me ndërhyrjen 330 euro, ndërsa, sipas policisë, kishte kërkuar edhe 200 euro shtesë.
Të njëjtit janë dërguar në ndalim për 48 orë.
Luan Mustafa mjek në Spitalin Regjional të Gjilanit, ishte i akuzuar edhe më parë për veprën penale të “marrjes së ryshfetit”, por që ishte shpallur i pafajshëm nga Gjykata Themelore e Gjilanit.