Të hënën është përcaktuar orari i ndeshjeve finale të plejofit në Superligën e Kosovës në basketboll. Në finale takohen Peja e Trepça, ndërsa ndeshja e parë, sipas vendimit të komisarit të garave, luhet në palestrën “Karagaçi” në Pejë të mërkurën prej orës 20:00.
Peja do ta ketë përparësinë e terrenit vendas në ndeshjen e pestë eventuale.
Ndeshja e dytë luhet të dielën prej orës 17:00 në Mitrovicë. Ndeshja e tretë është të enjten, më 11 maj, prej orës 20:00 në Pejë. Ndërkohë ndeshja e katërt eventuale është më 14 maj nga ora 17:00 në Mitrovicë. Ndeshja e pestë eventuale do të zhvillohet më 18 maj në Pejë.
Skuadra që shënon tri fitore shpallet kampione.
Peja në gjysmëfinale e eliminoi kampionin aktual, Golden Eagle Yllin, me rezultatin 3:1. Ndërkohë në serinë tjetër gjysmëfinale mes Sigal Prishtinës dhe Trepçës, vendimtare ishte ndeshja e pestë. Ndeshja e pestë u luajt të dielën mbrëma në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë, ndërsa pati fund dramatik. Fitore, megjithatë, shënoi Trepça, që kështu iu bashkua Pejës në finale.
Të dy skuadrat finaliste presin gjatë për titull të kampionit. Peja së fundi ishte shpallur kampione në vitin 2013. Ndërsa Trepça titullin e fundit të kampionit e ka fituar në vitin 2012. Peja ka gjashtë tituj të kampionit, ndërsa Trepça tre.
Dy titujt e fundit i ka fituar Golden Eagle Ylli.
Ka pasur paqartësi nëse Trepça ka fituar të drejtën që të jetë nikoqire e ndeshjes vendimtare, për faktin se e eliminoi Sigal Prishtinën që në edicionin e rregullt ishte e para. Paqartësi ka krijuar një vendim i dy vjetëve më parë.
Peja në edicionin e rregullt ishte e dyta, e pas saj Golden Eagle Ylli. Trepça ishte e katërta në pjesën e rregullt të kampionatit, por mposhti Prishtinën në ndeshjen vendimtare dhe bëri vend në finale.
Ndeshjet finale pritet të jenë dramatike, ndërsa palestrat në Pejë e në Mitrovicë të mbushura me shikues.