Kombëtarja e Kosovës e ka mbajtur sot stërvitjen e tretë në kuadër të përgatitjeve për miqësoret kundër San Marinos dhe Maltës. Në stërvitjen e sotme kanë qenë të pranishëm 20 futbollistë, teksa në ditët e ardhshme pritet që të vijnë edhe Herolind Shala, Astrit Selmani dhe Bashkim Ajdini, të cilët ende janë të angazhuar me klubet e tyre.
Edhe të dielën Dardanët kanë stërvitur me përkushtim dhe në atmosferë shumë të mirë, teksa është punuar në disa segmente me qëllim të përshtatjes sa më të mirë të prurjeve të reja. Pas stërvitjes përshtypjet e tyre mbi këtë grumbullim dhe dy sfidat e radhës për faqen zyrtare të FFK-së i dhanë anëtari i skuadrës holandeze,PEC Zwolle, Destan Bajselmani dhe anëtari i skuadrës turke, Konyaspor, Zymer Bytyqi.
Bajselmani theksoi se ndihet i lumtur që është bërë pjesë e Kosovës, teksa u shpreh mjaft i kënaqur me pritjen që i është bërë në ekip.
Ai ka thënë se brenda këtyre tri ditëve është ambientuar shumë mirë dhe i duket sikur kjo të mos ishte hera e parë që është pjesë e Dardanëve, derisa është optimist se në dy miqësoret e radhës do të arrijnë fitore.
Ndërkaq, Zymer Bytyqi ka thënë se ndihet mirë që pas një kohe është rikthyer sërish në radhët e Dardanëve.
Ndonëse në miqësoren e parë do ta kemi përballë San Marinon, ai thekson se kësaj ndeshje duhet t’i qasemi me seriozitet, pasi është me rëndësi fitorja për renditjen e FIFA-s.