Abuzimi me substanca narkotike nga të rinjtë mbetet një shqetësim i madh në shoqërinë kosovare. Edhe më shqetësues këtë dukuri e bën mungesa e trajtimit preventiv nga institucionet.
Varësia nga droga sa vjen e shtohet dhe kjo dëshmohet çdo ditë me kapjen dhe arrestimin e dhjetëra personave konsumues e shpërndarës të substancave narkotike.
Një rast i tillë është zbuluar edhe dje në rrugën “Bajram Kelmendi” në Prishtinë, ku Policia ka ndaluar një person, nën dyshimet për gjësende të kundërligjshme.
Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se te i riu që u kap në flagrancë, pas kontrollit, zyrtarët policorë ia kanë gjetur një sasi të substancës narkotike, të llojit marihuanë.
Pas përfundimit të kontrollit policor, droga është sekuestruar, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku ka dhënë deklaratën e tij lidhur me veprën me të cilën ngarkohen.
Pas përfundimit të proceduarve policore, Prokurori ka urdhëruar inicimin e rastit ndaj tij për veprën penale “Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.
Sipas Kodit Penal të Kosovës, është e jashtëligjshme që qytetarët të blejnë, posedojnë apo shpërndajnë substanca narkotike dhe mund të dënohen me gjobë apo burgim, varësisht nga sasia dhe lloji i lëndës narkotike që iu kapet nga autoritetet e rendit.