Policia e Kosovës ka gjetur dhe sekuestruar 4 mijë e 700 euro që dyshohet të jenë të falsifikuara, raporton Gazeta “Enigma”.
Në lidhje me këtë rast, policia ka bërë të ditur se është arrestuar një i dyshuar.
“Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), përkatësisht Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike ka pranuar informatën nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit të Narkotikëve të cilët sot me datë 22.05.2023 rreth orës 16:30, gjatë një operacioni policor, gjatë kontrollit të shtëpisë së të dyshuarit me iniciale (V.T.) kanë hasur në një shumë të parave €uro të cilat janë dyshuar se janë të falsifikuara”.
“Pas këtyre veprimeve rasti ka kaluar për hetim të mëtutjeshëm në Sektorin për Hetimin e Krimeve Ekonomike (DHKEK), me ç`rast pas analizimit të provave është arrestuar i dyshuari i lartcekur, gjithashtu është sekuestruar shuma e parave prej 94 copë kartëmonedha (në apoen) prej 50 €urove, gjithsejtë katër mijë e shtatëqind (4700) €uro, që dyshohet të jenë të falsifikuara”, thuhet në njoftim.
I dyshuari është intervistuar në prezencë të avokatit të tij mbrojtës dhe të njëjtit ju ka lëshuar vërtetimi për sekuestrim të 4 mijë 700 eurove.
“Pas analizimit të kartëmonedhave të falsifikuara vërehet se është falsifikim i nivelit më të lartë, përmban disa prej tipareve të sigurisë dhe i rrezikshëm që qytetarët të bien pre e mashtruesve me këtë lloj falsifikimi. I dyshuari është intervistuar në prezencë të avokatit të tij mbrojtës dhe të njëjtit ju ka lëshuar vërtetimi për sekuestrim të 4700 eurove”, thuhet tutje në raport. /GAZETA ENIGMA/