Tollovi e vështirësi për qytetarët po shkaktojnë vonesat në ndërtimin e rrugëve që e lidhin Gjilanin me vendet përreth, shkruan Gazeta “Enigma”.
Me qëllim të përmirësimit të infrastrukturës rrugore, Ministria e Infrastrukturës tani e disa kohë ka nisur realizimin e dy projekte të rëndësishme rrugore për Komunën e Gjilanit, ku njëri nga ta është financuar përmes një kredie të marrë nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).
Këto projekte janë paraparë që të realizohen në magjistralen Gjilan-Ferizaj dhe Gjilan-Bujanoc.
Por ngecje disa mujore janë hasur në realizimin e këtyre projekteve tw cilat po e vështirësojnw qarkullimin e automjeteve në këto rrugë, por edhe siguria e vozitësve po vihet në pikëpyetje.
Kur pritet të përfundojnë punimet, komuna jep detaje
Mentor Mihovci, drejtor në Drejtorinë për Shërbime Publike në Komunën e Gjilanit në një përgjigje për Gazetën “Enigma” ka dhënë detaje për ecurinë e punimeve në rrugën Gjilan-Ferizaj dhe Gjilan-Bujanoc.
Sipas tij vonesa e realizimit të projektit në magjistralen Gjilan-Ferizaj është bërë pasi në vitet e para pas kontraktimit nuk ka pasur buxhet, e në vitin e tretë ka pasur rritje të çmim të materialeve që ka pamundësuar punimet atje.
“Në vitin 2020 dhe 2021 shtyhet kontrata sepse nuk ka pasur buxhet, 2022 operatori nuk ka punuar për shkak të rritjes së çmimit”, ka njoftuar ai.
Tutje Mihovci ka shtuar se “zgjerimi i rrugës Gjilan-Ferizaj e kontraktuar dhe financuar prej BERZH-ës ka qenë një projekt i nënshkruar në vitin 2020. Në atë projekt në dalje të Gjilanit në fshatin Livoç të Ulët projekti nuk ka pasur kanalizim atmosferik dhe trotuare”.
“Pas fillimit të punimeve kanë lindur problemet për shkak se në atë pjesë nuk ka pasur kanalizim atmosferik dhe pa trotuar banorët kanë kërkuar që më mirë mos me punuar se me punua në atë kohë”, tha Mihovci për Gazetën “Enigma”.
Ai ka konfirmuar se në fund të qershorit pritet asfaltimi i shtresës së parë në rrugën Gjilan-Ferizaj.
Sipas tij edhe rruga Gjilan-Bujanoc pritet të jetë e qarkullueshme që nga fundit i qershorit.
“Rruga Gjilan-Bujanoc është e kontraktuar nga Ministria e Infrastrukturës, tani në këtë rrugë është shtruar shtresa e parë, që sipas punë kryesit kjo shtresë duhet të rrijë deri në dy javë për të vazhduar pastaj me punime”, ka deklaruar Mihovci.
Sipas tij në ngadalësimin e punimeve në këtë pjesë kanë ndikuar edhe kushtet atmosferike
Gazeta “Enigma” ka dërguar pyetje edhe në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, por deri më tani nuk ka marr asnjë përgjigje.
Problemet që i shkaktojnë vonesat në ndërtimin e rrugëve
Eksperti i komunikacionit rrugor, Liridon Sejdiu, në një përgjigje për Gazetën “Enigma”, ka theksuar se ngecjet e punimeve përveç që shkaktojnë kolona të gjata rritet edhe probabiliteti i ndodhjes së aksidenteve.
“Ngecjet e punimeve në infrastrukturën rrugore krijojnë probleme edhe nga aspekti i sigurisë së komunikacionit, kjo duke rritur mundësinë e ndodhjes së aksidenteve për shkak edhe të menaxhimit jo të mirë të trafikut gjatë punimeve gjë që duhet kushtuar kujdes në rritjen e nivelit të sigurisë së komunikacionit”, tha Sejdiu për “Enigmën”.
Tutje ai ka shtuar se “në rrugët me rëndësi siç është lidhja e dy qyteteve të rëndësishme të Kosovës (Gjilan dhe Ferizaj) duhet që punimet infrastrukturore të jenë të menaxhuara mirë nga aspekti ndërtimor si dhe nga aspekti i sigurisë që të eliminohet faktori rrugë në ndodhjen e aksidenteve”.
Sipas ekspertit të komunikacionit rrugor “ngecjet e punimeve mund të krijojnë rende të gjata të automjeteve që zvogëlon distancën e sigurisë së automjeteve dhe rrit probabilitetin e ndodhjes së aksidenteve”.
Ndërsa deputetja e Kuvendit të Kosovës, nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovë, Valentina Rexhepi-Bunjaku, në një përgjigje për Gazetën “Enigma” ka theksuar se ngecjet në punime po shkaktojnë humbje edhe tek bizneset.
“Punimet po shkaktojnë nervozizëm, pakënaqësi dhe humbje në biznese. Efekti i zvarritjes po vërehet edhe në kalimin e kohës jashtë Kosovës nga mërgimtarët, pasi po irritohen me dëmtim të veturave të tyre të shtrenjta në rrugë të paasfaltuara siç duhet dhe rinia gjithnjë e më shumë po rri më pak në Kosovë, dhe kur po vijnë, po e shpenzojnë një pjesë të pushimeve në Shqipëri, Turqi, Ulqin etj.”, tha ajo për “Enigmën”. /GAZETA ENIGMA/