Skuadra e Ferizajt ballafaqohet të dielën me Dukagjinin e Klinës në kuadër të xhiros së fundit të Superligës së Kosovës në futboll.
Ferizaj ndodhet në pozitën e tetë në Superligë, një pikë më shumë se skuadra e Trepçës 89′ që ndodhet në vendin që dërgon në Ligën e Parë. Në ndeshjen e fundit, Ferizj e pret Dukagjinin, kurse Trepça 89′ luan ndaj Prishtinës.
Ferizajt i duhet një fitore për t’i shmangur rënies direkt, për të luajtur më pas në barazh, atje ku tashmë motivi është i madh për ta arritur këtë gjë.
Në një prononcim për ‘GazetaBlic Sport’, futbollisti i kësaj skuadre, Bujar Shabani tha se ndeshja me Dukagjinin do të jetë e vështirë, por që me ndihmën e publikut beson fuqishëm që do t’ia dalin.
“Padyshim që na pret një ndeshje shumë e vështirë të dielën ndaj Dukagjinit në formë të mirë, por edhe ne si vendas po kalojmë momente shumë të mira dhe kemi arritur rezultate pozitive. Besoj shumë me ndihmën e publikut do t’ia dalim”, tha Shabani.