Takimi i ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Jeff Hovenier me kryetarët e Zubin Potokut dhe Zveçanit tashmë ka përfunduar dhe nuk ka pasur prononcime për media.
Ambasadori amerikan i ka ftuar në takim kryetarët e komunave veriore, por ftesë i janë përgjigjur ai i Zubin Potokut Izmir Zeqiri, dhe i Zveçanit Ilir Peci, të dy nga PDK.
Në takim raportohet se nuk kanë shkuar dy kryetarët e VV-së, në Mitrovicë të Veriut dhe Leposaviq, por gjatë ditës pritet të takohen.
Ndryshe, qytetarë serbë u mblodhën para objekteve komunale në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, ku më 26 maj Policia e Kosovës hyri me forcë për të instaluar kryetarët e rinj shqiptarë.
Përleshjet që shpërthyen midis protestuesve serbë dhe policisë bënë që Serbia të ngrejë gatishmërinë luftarake të ushtrisë së saj.
Bashkësia ndërkombëtare e dënoi fuqishëm vendimin e Qeverisë së Kosovës për të hyrë me forcë në ndërtesat komunale në veri. NATO-ja kërkoi shtensionimin e menjëhershëm të situatës.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mbrojti veprimet e policisë, duke thënë se çdo opsion tjetër do të ishte “mospërmbushje e obligimeve kushtetuese të Qeverisë ndaj kryetarëve të rinj”.