Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, pas prishjes së koalicionit mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës në Gjilan, ka thënë se LDK-ja do të vazhdojë të qëndrojë në opozitë.
Ai u shpreh se 14 këshilltarët e LDK-së në asnjë mënyrë nuk do të jenë pjesë e një bashkëqeverisje eventuale.
“Ne do të vazhdojmë të jemi opozitë, ndoshta më e madhe, ndoshta më e vogël, kjo do të varet nga vullneti i partive dhe përfaqësuesve të partive politike në kuvend, por si LDK nuk do të shkaktojmë asgjë tjetër, pos rikonfigurim të natyrshëm dhe do të punojmë për një rritje të bllokur opozitar. Por, ajo që është e sigurtë, 14 këshilltarë të LDK-së do të mbeten në opozitë dhe në asnjë mënyrë nuk do të jenë pjesë e një bashkëqeverisje eventuale”, tha ai.
Haziri tha se javën tjetër grupi këshilltarëve të LDK-së do të bëjë vlerësimet dhe analizat e gjithë gjendjes.
“Javën tjetër grupi këshilltarëve të LDK-së do të bëjë vlerësimet, analizat e krejt gjendjes në Kuvendin Komunal, gjetjeve që i kemi në ekzekutiv dhe do të dalim me vlerësime të reja, natyrisht që do të respektohet vullneti i tyre, por Kryesia e Degës së LDK-së parimisht sot e ka ruajtur frymën dhe rolin e LDK-së, duke qenë opozitë konstruktive”, tha ai.
Tutje, Haziri u shpreh se gatishmëria e tyre për bashkëpunim, siç tha ai, për të ndikuar në politikat zhvillimore të Gjilanit, asnjëherë nuk ka munguar.
“Gatishmëria jonë për bashkëpunim për të ndikuar në politikat zhvillimore të Gjilanit asnjëherë nuk ka munguar, por jo të lejojmë asnjëherë, në asnjë formë, në asnjë mënyrë me shkel parimin e gardianit të demokracisë, ligjshmërisë në komunën e Gjilanit, parimet zhvillimore të komunës së Gjilanit dhe të projekteve që ne i kemi shkaktuar me qytetarët e Gjilanit, projektet madhore, sistemore që i kemi quajtur”, u shpreh tutje Haziri.