Gjatë vizitës dy ditore të Përfaqësuesit Special të BE-së për Dialogun Kosovë-Serbi d Miroslav Lajčák dhe Zëvendësndihmës Sekretarit Amerikan të Shtetit Matthew Palmer, zëvendëskryeministri parë i Republikës së Kosovës, për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, zhvilloi me ta disa takime.
Sipas komunikatës së qeverisë, temat që u prekën në këto takime kishin kryesisht fokus mbarëvajtjen e procesit të ri dialogut dhe hapat e ardhshëm që pritet të ndërmerren në të.
Në njërin nga takimet ishin të pranishëm edhe disa këshilltarë nga zyra e Lajčák dhe disa nga ekspertët e angazhuar në mbështetje të Qeverisë në procesin e dialogut, përfshirë Veton Surroin, Blerim Shalën e Bernard Nikaj.
Në takime u diskutua edhe për përgatitjet në lidhje me vizitën në Bruksel gjatë muajit qershor, me ç’rast zëvendëskryeministri Bislimi theksoi vullnetin e Qeverisë për t’u përfshirë në një dialog të drejtë, parimor dhe në shërbim të qytetarëve dhe paqes e sigurisë së përgjithshme.
Zëvendëskryeministri u shpreh mirënjohës për angazhimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të mbështetur procesin e dialogut, që siç tha ai, është edhe një sinjal për praninë e fuqishme dhe të vazhdueshme të SHBA-ve, si partnerë në zhvillimin dhe krijimin e një të ardhme premtuese në Kosovë.