Kurti: Sjellja e Serbisë nuk është befasuese, por e habitshme është heshtja e bashkësisë ndërkombëtare

Kurti: Sjellja e Serbisë nuk është befasuese, por e habitshme është heshtja e bashkësisë ndërkombëtare


Kreu i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti pas mbledhjes së sotme të Këshillit të Sigurisë, foli për gjendjen në veri të vendit, teksa theksoi edhe hapat që po ndërmarrin organet e drejtësisë për të ofruar siguri për qytetarët, shkruan Gazeta Enigma.

Ai tha se janë shtuar kontrollet më rigoroze të veturave që vijnë nga Serbia.

Kryeministri e quajti kidnapimin e policëve të Kosovës dje “agresion dhe intencë për eskalim dhe destabilizim”, në kohën kur Qeveria propozoi planin për shtensionimin e situatës.

“Sapo e përfunduam mbledhjen e Këshillit të Sigurisë së Kosovës, që kishte temë veprimin agresor të Serbisë dje. Me anëtarët e Këshillit diskutuam për situatën e përgjithshme të sigurisë më theks të veçantë në këto komuna. Rasi i djeshëm ishte agresion, hakmarrje ndaj policisë tonë që po heton krimin, dhe intencë për destabilizim në kohën kur ne kemi propozuar planin për deeskalim. Organet tona e kanë rritur nivelin e sigurisë, janë shtrënguar pikat kufitare, dhe është shtrënguar kontrolli i automjeteve që vijnë nga Serbia”, theksoi ai.

Tutje ai tha se nuk është befasuese sjellja destruktive e Serbisë, por heshtja e ndërkombëtarëve për këtë akt kriminal të Serbisë.

“Veprimet e radhës do të merren në bazë të rekomandimeve të institucioneve tona. Ne kërkojmë lirimin e menjëhershëm të tre zyrtarëve të kidnapuar, dhe ju bëjmë thirrje bashkësisë ndërkombëtare ta dënoj këtë rast dhe të ushtroj presion mbi shtetin serb. Serbia s’po na befason me sjelljen e saj por befasuese është heshtja e bashkësisë ndërkombëtare kundrejt Serbisë e cila vazhdimisht kërkon destabilizim të situatës”, shtoi Kurti. / Gazeta Enigma.

Related Articles