Në kohën kur disa non-papera kanë dërmuar rajonin, duke u propozuar në to ndryshime kufijsh në Ballkanin Perëndimor, kryesisht në baza etnike, një non-paper i ri është dorëzuar në selinë e Bashkimit Evropian, shkruan gazeta e Bosnjës “Oslobodjenje” të mërkurën.
Ky non-paper për autorë ka Austrinë dhe anëtarët e Grupit të Vishegradit, ku bëjnë pjesë Hungaria, Polonia, Çekia e Sllovakia dhe është pozitiv krahasuar me të tjerët që propozonin ndryshim kufijsh.
Në non-paperin e këtyre pesë shteteve, i cili sipas ministres së Punëve të Jashtme të Bosnjë-Hercegovinës, Bisera Turkoviq, vërtetë ekziston, kërkohet që qytetarët dhe shtetet e Ballkanit Perëndimor të përfshihen në biseda zyrtare për të ardhmen e përbashkët në BE.
BE-së, sipas asaj që është shkruar në non-paper, i kërkohet të ofrojë përkrahje më të madhe për vendet e Ballkanit Perëndimor.
Në fakt, dy non-paperat e mëhershëm, u raportua se vijnë nga, përkatësisht Sllovenia dhe Gjermania e Franca dhe në to u propozuan ndryshime kufijsh me idenë se vetëm kështu do të arrihet paqja në Ballkan. Këto vende mohuan se qëndrojnë pas këtyre dokumenteve jozyrtare.