Sot është arrestuar edhe një tjetër serb që dyshohet të ketë sulmuar gazetarë në veri të vendit.
Kështu ka bërë të ditur ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Sveçla ka përgëzuar njësitet policore të cilat kanë bërë punë efikase në kapjen dhe arrestimin e të dyshuarit, me qëllim të vendosjes së rendit dhe ligjit.
“Sot është arrestuar nga Policia e Kosovës në Jarinje edhe një sulmues i gazetarëve në veri, krimineli Dalibor Spasic.
Përgëzoj njësitet përkatëse të Policisë së Kosovës për efikasitetin dhe punën e vazhdueshme me qëllim të vendosjes së rendit dhe ligjit në çdo cep të Republikës së Kosovës.
Në vendin tonë demokratik aktet kriminale nuk kalojnë pa pasoja. Këtë duhet ta dijnë edhe ata për të cilët nuk ka pasur pasoja ligjore për gjithë këto vite. Republika nuk zmbrapset përballë kriminelëve e milicisë fashiste” ka thënë Sveçla në njoftimin e tij.