MPB pas sulmit në veri: Serbia po tenton eskalimin e situatës në veri

MPB pas sulmit në veri: Serbia po tenton eskalimin e situatës në veri

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ka reaguar pas sulmeve që kanë ndodhur mbrëmë në komunën e Mitrovicës së Veriut, duke thënë se këto janë tentativa të Serbisë për të eskaluar situatën në veri.

MPB në reagim thotë se ndërtesa e Komunës së Mitrovicës së Veriut është sulmuar me mjet shpërthyes, që dyshohet të jetë granatë dore.

Tutje, MPB shton se nga ky akt kriminal dy vetura janë dëmtuar.

“Mbrëmë në orët e vona, ndërtesa e Komunës së Mitrovicës së Veriut është sulmuar me mjet shpërthyes, që sipas ekspertizës dyshohet të jetë granatë dore e llojit M75. Nga ky akt kriminal, janë dëmtuar dhe dy vetura zyrtare që gjendeshin pranë objektit. Policia e Kosovës ka marrë masat e menjëhershme në investigimin e rastit dhe identifikimin e autorëve”, vijon reagimi.

Më tej, Ministria thekson se, sulmet e vazhdueshme terroriste ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës, duhet të përballen me reagim të ashpër nga të gjithë.

“Këto janë tentativa të njëpasnjëshme nga ana e Serbisë për të eskaluar situatën në veri të vendit. Ne mbesim vigjilent dhe të angazhuar për rend dhe siguri për të gjithë qytetarët pa dallim”, thuhet mes tjerash në reagim. / Gazeta Enigma.

Related Articles