Pas zhvillimeve të fundit mes Kosovës dhe Serbisë, kërkohen zgjedhje të jashtëzakonshme në veri

Pas zhvillimeve të fundit mes Kosovës dhe Serbisë, kërkohen zgjedhje të jashtëzakonshme në veri

Të hënën më 26 qershor, tre zyrtarët policorë u liruan nga autoritet e Serbisë të cilët u arrestuan nga forcat serbe më 14 qershor.

Drejtësia në Serbi i ngarkoi tre policët – Beqir Sefa, Mustafë Shemi dhe Rifat Zeka – me veprën penale: prodhim, posedim, mbajtje dhe trafikim i paligjshëm i armëve dhe lëndëve plasëse, e cila bart dënim me burg deri në 12 vjet.

Arrestimi i tre policëve nxiti reagime të shumta si në Kosovë, ashtu edhe te bashkësia ndërkombëtare, e cila kërkoi vazhdimisht lirimin e tyre.

Qeveria e Kosovës pretendoi se ata janë arrestuar në territorin e saj, përkatësisht janë rrëmbyer, por në Serbi e mohuan këtë, duke thënë se policët kishin hyrë “thellë” në territorin e tyre.

Pas lirimit të tre zyrtarëve policorë, sekretari amerikan i Shetit, Antony Blinken ka zhvilluar biseda me kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin Aleksandar Vuçiq, me të cilët ka biseduar për tensionet në veri të Kosovës.

Blinken përmes një postimi në Twitter ka thënë se gjatë bisedës me Vuçiqin e ka mirëpritur vendimin për lirimin e tre policëve të Kosovës.

“Kam biseduar me presidentin serb Vuçiq për të theksuar rëndësinë e de-përshkallëzimit të menjëhershëm të tensioneve. Unë mirëpres lirimin e policëve të Kosovës dhe ne vazhdojmë të mbështesim fuqishëm planin trepikësh të BE-së si rruga më e mirë përpara”, tha Blinken.

Gjithashtu, Blinken shton se ka kërkuar edhe nga Kurti që të zbatojë tri pika të planit të BE-së për qetësimin e situatës në veri të Kosovës.

“Kam biseduar me kryeministrin e Kosovës për të inkurajuar de-përshkallëzimin në veri të Kosovës dhe kthimin e menjëhershëm të dialogut të udhëhequr nga BE. Plani trepikësh i BE-së është rruga përpara”, tha Blinken.

Sipas Zyrës së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ai bisedoi me kryediplomatin amerikan për situatën në veriun e banuar me shumicë serbe dhe për zgjedhjet e reja në katër komunat veriore.

Zgjedhjet, sipas Kurtit, zgjedhjeve duhet t’u paraprijë sundimi i ligjit, “për ekstremistët e dhunshëm që sulmuan ushtarët e KFOR-it, Policinë e Kosovës e gazetarët, për tri nënkryetaret serbe në Leposaviq, Zveçan e veri të Mitrovicës, për konfiskimin e armatimit e municionit të shumtë në një veturë me targa të Beogradit, për nevojën për zbatim të plotë, të sekuencuar drejt e pa kushte të Marrëveshjes Bazike të Brukselit”.

Më herët gjatë 26 qershorit, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po ashtu njoftoi se kishte biseduar me sekretarin Blinken.

Blinken ka insistuar në qetësimin e situatës në veri të Kosovës dhe ka mbështetur planin evropian për shtensionim, tha Vuçiq pas bisedës me kryediplomatin amerikan.

Siç tha Vuçiq përmes një postimi në Instagram, gjatë bisedës me Blinkenin, ai ka kërkuar lirimin e serbëve të arrestuar në veri të Kosovës.

“I thash [sekretarit Blinken] se Serbia sillet seriozisht dhe në mënyrë të përgjegjshme, por njësitë speciale të Policisë së Kosovës po arrestojnë çdo ditë pjesëtarët e komunitetit serb në mënyrë krejtësisht arbitrare dhe kërkova lirimin e të gjithë serbëve të arrestuar”, tha Vuçiq.

Siç raportohet, Vuçiq gjatë bisedës me Blinkenin ka theksuar se dorëheqja e katër kryetarëve të rinj shqiptarë në komunat në veri të Kosovës dhe tërheqja e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga ndërtesat komunale “janë të një rëndësie kyçe për të ulur tensionet”.

Analisti politik, Gazmir Raci në një bisedë për Gazetën Enigma, ka thënë se tani është koha që të shkohet në zgjedhje të parakohshme në veri, por gjithmonë duke e respektuar bazën ligjore.

“Është koha që të shkohet drejt zgjedhjeve të parakohshme në veri duke e respektuar bazën ligjore të Kosovës dhe për këtë edhe komuniteti ndërkombëtarë ka shprehur pajtueshmëri”, thotë ai.

Sipas Racit, sfida kryesore për zgjedhje të lira mbeten ekzistimi i grupeve kriminale që mund t’i pamundësojnë zgjedhjet e lira, fer e demokratike.

“Sfidë mbeten ende disa mbetje të grupeve kriminale dhe sulmet e fundit na tregojnë që ato ende nuk janë shpartalluar. Në këtë rrethana të sulmeve kohë pas kohe nuk besoj që ka njeri që beson që zgjedhjet do të jenë të lira, fer e demokratike me një pjesëmarrje të kënaqshme të qytetarëve, por edhe të gjitha subjekteve politike ose edhe iniciativave qytetare”, potencon analisti politik, Gazmir Racit.  

Raci komenton edhe bisedën e fundit të Kurtit me Blinkenin. Ai thotë se marrëdhëniet e Kosovës me SHBA-të janë më të fuqishmë si asnjëherë më parë.

“Biseda e kryeministrit Kurti me sekretarin amerikan tregon që marrëdhëniet tona edhe pse janë të tendosura, ato janë më të fuqishme si asnjëherë më parë. Edhe vizita e Kurtit në Londër tregon shumë në këtë drejtim”, vlerëson Raci.

“Është momenti që tani që Kosova të jetë në krye të përgjegjësive dhe obligimeve që ka marrë nga marrëveshja bazike dhe aneksi i Ohrit dhe mos të jetë peng se kur do vendos Serbia me i zbatu obligimet e saja ose jo. Le t’i zbaton Kosova obligimet e saja karshi marrëveshjeve dhe natyrisht duhet të insistohet që lufta ndaj krimit e bandave në veri është e panegociushme me askënd, sepse ka të bëjë më sundim të rendit e ligjit”, përfundon analisti Raci.

Tensionet në veri të Kosovës nisën më 26 maj, kur kryetarët e rinj shqiptarë – të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, komuna të banuara me shumicë serbe – hynë në ndërtesat komunale me asistimin e policisë.

Që atëherë, serbët kanë mbajtur protesta.

Kryetarët e rinj u zgjodhën më 23 prill, zgjedhje që u bojkotuan nga partitë dhe popullata serbe.

Ditëve të fundit, autoritetet në Kosovë kanë arrestuar disa pjesëtarë të komunitetit serb, nën dyshimet se kanë marrë pjesë në dhunën ndaj ushtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, dhe ndaj gazetarëve që po raportonin nga veriu.

Zyrtarët në Serbi dhe përfaqësuesit e Listës Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovës, që gëzon mbështetjen e Beogradit – i konsiderojnë arbitrare këto arrestime.

Komuniteti ndërkombëtar po i kërkon Kosovës që të shtensionojë situatën dhe i ka paraqitur tri kërkesa: qetësimin e situatës në veri, mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore dhe rikthimin në dialogun për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi.

Ndërkaq, nga Beogradi zyrtar po kërkohet që të sigurojë që serbët të marrin pjesë pa kushte në zgjedhjet eventuale lokale.

Related Articles